SPAK sërish kontrolle në banesën e Erion Veliajt tek Kodra e Diellit

SPAK sërish kontrolle në banesën e Erion Veliajt tek Kodra e

Prokuroria e Posaçme urdhëron sërish kontrolle të Kodra e Diellit, në kuadër të hetimeve që po kryhen ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, gruas së tij dhe gjashtë biznesmenëve.

Kontrollet po kryhen në një apartament një kat sipër hyrjes së kryebashkiakut.

Ka dyshime se apartamenti ku në letra rezulton të përdoret me qira nga një çift, të jetë në përdorim nga Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa.

Veliaj dhe Xoxa po hetohen nën dyshimet për korrupsion e pastrim parash./ VNA 

REVOKIMI I MASES

Ndërkaq gazetari Edison Vatnikaj raportoi sot se kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili prej më shumë se dy muajsh mbahet në masën e sigurisë “arrest në burg” nën dyshimin se ka kryer dy vepra penale, kërkon të lirohet nga qelia.

Veliaj ka kërkuar revokim ose zëvendësim të masës së sigurisë, si dhe informacion dy mujor nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion lidhur me hetimet që po kryhen ndaj tij sa i përket veprës penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Kërkesa e tij do shqyrtohet të mërkurën më datë 16 prill nga gjyqtari i hetimit paraprak Erjon Bani, i cili firmosi masën “arrest në burg” ndaj Veliajt.

Kryebashkiaku i Tiranës më herët apeloi masën e GJKKO-së në Apelin e Posaçëm, por shkalla e dytë e gjyqëorit vendosi të rrëzojë kërkesën e tij duke lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Erjon Bani në seancën e vlerësimit të masave të sigurisë që u mbajt në Gjykatën e Posaçme në 12 shkurt.

Vendimi i Apelit u zbardh pak ditë më parë, teksa pritet që mbrojtja ligjore e Erion Veliajt të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, pasi ata kundërshtojnë masën shtrënguese, por edhe hetimin e nisur nga SPAK, që sipas tyre bazohet mbi një kallëzim anonim.

Për të njëjtën çështje, biznesmeni Elman Abule qëndron në masën “arrest në shtëpi”, ndërsa bashkëshortja e Veliajt si dhe pesë biznesmenë të tjerë mes tyre Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Sokol Kryeziu janë kufizuar me masën “detyrim paraqitje”.

EMISIONET