Skandali te Onkologjiku/ Berisha: Rrënjët janë te Rama, Manastirliu dhe Beqaj. Duhet qeveri teknike dhe zgjedhje të lira

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me publikimin e skandalit te Spitali Onkologjik, ku mjekët merrnin ilaçet e kimioterapisë dhe i shisnin në spitalet private.

Berisha u shpreh se kjo që japin mediat sot është denoncuar me qindra herë dhe se rrënjët e saj janë te Rama, Manastirliu dhe Beqaj.

Berisha: Mirëmbrëma dhe mirënjohjen më të pakufishme për protestën, qëndresën tuaj qëndrestare dhe qëndrestarë të pamposhtur për një kauzë të drejtë, kauzën e lirisë, dinjitetit, shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve që kanë shndërruar këtë platformë në platformën e mendimit të lirë, fjalës së lirë.

Protesta dhe fjala juaj kanë tmerruar, i kanë kallur datën gjer në palcë Edi Ramës dhe lakejve të tij.

Si kurrë ndonjëherë, mbi ju është vendosur një censurë totale nga mediat e kontrolluara nga Edi Rama sepse këtu thuhen të vërtetat më të hidhura.

Këtu mbrohet interesi kombëtar dhe interesat e çdo qytetari shqiptar që jeton me mundin, djersën e tij dhe që e do këtë vend një vend të lirë.

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.

Sot nga thellësitë e shpirtit dhe zemrës të çdo shqiptari që e do Shqipërinë, të çdo qytetari që do lirinë, vjen një thirrje për secilin prej jush, të bashkohemi në mosbindje civile dhe protestë për të çelur për Shqipërinë dhe shqiptarët dyert e mbyllura të shpresës.

Dyert e mbyllura të begatimit.

Dyert e mbyllura të dinjitetit njerëzor dhe kombëtar.

Sot, çdo shqiptar është i thirrur të ngrihet në sakrifica dhe të mos lejojë që vendi i tij të tretet, të shkretohet, të pakësohet dhe varfërohet çdo ditë e më shumë.

Miqtë e mi, sot të përcjellësh me indiferencë këto zhvillime dramatike, të cilat me tërësinë e tyre nuk i pëson asnjë vend tjetër në botë.

Unë nuk di një vend tjetër në planet që në 8 vite të ketë humbur në dhera të tjera 35 përqind të popullatës.

Unë nuk di një vend tjetër në planet që në 10 vite numri i maturantëve të ketë rënë me 42 përqind.

Unë nuk di një vend tjetër në planet që në arsimin e tij të ketë rënë, të jetë rrokullisur në mënyrë vertikale me 62 pikë në 8 vite.

Unë nuk di asnjë vend tjetër në planet në të cilin të ardhurat për frymë janë krejt tjera, kurse 18 përqind e fëmijëve të tij nuk sigurojnë dot më shumë se një apo dy vakte në ditë. Dhe 47 përqind e fëmijëve janë në uri të moderuar.

Nuk ekziston pra asnjë vend tjetër, pikërisht se këtë gjëmë të regjimit e përjetojnë shqiptarët.

Ata rrokullisen më poshtë në dije se të gjitha vendet e tjera në shkolla.

Se ata rrokullisen për ushqimin e fëmijëve të tyre 6 vende ndër Ugandën që përjetoi luftën e tmerrshme civile. 5 vende ndër Çadin. 18 vende ndër Serbinë.

Çfarë duhet të na ndodhë ne? A nuk janë këto të këqija të mëdha që trokasin derë më derë në këtë vend dhe në këto shtëpi?

Çdo ditë, ju dëgjoni skandale. Por gjithçka përcaktohet mbi të gjitha nga vjedhjet e Edi Ramës dhe ministrave të tij.

Sot mediat paraqitën raste dramatike në trajtimin e të sëmurëve me sëmundje malinje.

Miq, po kjo që japin mediat sot është denoncuar me dhjetëra e qindra herë dhe rrënjët e saj janë tek Edi Rama, Ogerta Manastirliu, Ilir Beqa, ish-kunata e Edi Ramës.

Miq, po sa herë është denoncuar në media se të sëmurët me neuroplasira nuk marrin dot ilaçet se mungojnë?

A ka krim më të shëmtuar se sa kobalto-terapia që ka të paktën 40 vite e instaluar në atë spital, të mos funksionojë sot? Sepse vjedh Odeta, sepse vjedh Rama, se këta faqezinj nuk kanë nder e moral, nuk kanë shpirt.

Miqtë e mi, çfarë u ndodhi shqiptarëve me shëndetësinë falas?

Shqiptarëve me shëndetësinë falas u ndodhi detyrimi për të paguar 60 përqind për kujdesin shëndetësor nga xhepi i tyre.

Po pse? Po çdo gjë vidhet nga ministria e antishëndetit, nga ministria e vdekjes dhe hajnive.

A e dini ju se nga Kovidi për shkak të vjedhjes së qindra milionë eurove me tendera të fshehtë nga ajo zonja që meriton të quhet Zonja Vdekje, a e dini ju se ne patëm dy herë më shumë vdekje se Kosova. Dy herë më shumë vdekje se Maqedonia.

U ngjitëm në çatinë e botës për vdekjet nga Kovidi. Po pse? Se Rama dhe Odeta bënin tendera sekrete, tenderonin 50 respiratorë dhe merrnin vetëm 5.

Se blinin me çmime stratosferike për të ndarë paratë.

Se e shndërruan Tiranën dhe Shqipërinë në spital dhe nuk shtronin të sëmurët në spitale.

A e dini se ajo situatë ekziston sot në të gjithë sektorët e shëndetësisë. Po, po!

Për arsye se kur vjedh ministrja, kur vjedh kryeministri, kur vjedh drejtori, të tjerët ndjekin rrugën e tyre.

A janë bërë sot çështjet e shëndetit, çështje emergjence për këtë komb? Sigurisht, për ata që janë të shëndetshëm, nuk janë. Për ata që nuk kanë të sëmurë, nuk janë.

Por për çdo familje që ka të sëmurë, sot problemet e shëndetit janë problemet më të mprehta, më të dhimbshme, më dramatike se në çdo vend tjetër.

Edhe në këtë kontekst është emergjencë e të gjitha emergjencave përmbysja e kësaj qeverie. Qeveria teknike, zgjedhjet e lira, zgjedhjet e ndershme, opozita në pushtet.

EMISIONET