Shkëlqim Cani në SPAK për privatizimin e një furre buke. Ish-ministri "mbron firmën" kundër incineratorëve
Ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani u mor në pyetje në SPAK për hetimet mbi privatizimin e truallit të një furre buke në Tiranë. Ai u pyet edhe për çështjen e incineratorëve ku tha se I qëndron shkresave që ka firmosur për kundërshtimin e projektit. Për faktin se arben ahmetaj miratoi atë që ai kishte refuzuar, cani tha se duhet pyetur Kryeministri.
Ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani u thirr këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme, ku për afro dy orë e 30 minuta është pyetur si person me dijeni për hetimet lidhur me privatizimin e një furre buke në Tiranë në kundërshtim me ligjin.
Kallëzimi është bërë në Shtator 2022 nga ish-pronarët e tokës që pretendojne se e kanë fituar të drejtën kthimit të pronës jo vetëm me vendim të AKKP, por edhe në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, por disa ministri, përfshirë dhe atë të Financave, kanë kryer një procedurë ankandi për privatizimin e objektit dhe tokës ku ka fituar nje subjekt tjetër dhe jo pronarët.
Për këtë çështje ish-ministri Cani nuk foli pasi tha se kishte firmosur një deklaratë për sekretin hetimor në prokurori.
“Firmosa për sekretin hetimor”, u shpreh shkurtimisht Cani.
Ish-kreu i Financave përsëriti qëndrimin e mbajtur kundër incineratorëve në një shkresë për dhënie mendimi ndaj ministrisë së mjedisit në vitin 2014.
“Jo. Shkresa ka dalë, është publikuar. Nënshkruaj të gjitha letrat… Nuk ka rëndësi që çfarë them unë, kur është e shkruar. Se çfarë kam shkruajtur, e lexuat shumë mirë. Me gojë s’kam çfarë përsëris”, theksoi Shkëlqim Cani.
Cani theksoi se është i gatshëm të dëshmojë në SPAK në lidhje me incineratorët, por deri tani nuk i është kërkuar një gjë e tillë
“Pyesni SPAK-un kur ka ndërmend të më thërrasë dhe a do më thërrasë. Në jetën time kam kaluar kaq shumë, sa që nuk më suprizon asgjë. Jam i gatshëm që të paraqitem për të treguar të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Pres drejtësi. ligj, drejtësi rregull”, u shpreh Shkëlqim Cani.
I pyetur për faktin se parasrdhësi i tij Arben Ahmetaj firmosi projektin e incineratorëve që Cani kishte refuzuar, ish-ministri theksoi se është kryeministri ai që duhet të pyetet në lidhje me veprimtarinë e ministrave.
“Pyesni Ramën për këtë”, theksoi Cani.
Për shkak të qëndrimit kundërshtues si ministër i Financave, Shkëlqim Cani ka qenë dëshmitar edhe në komisionin parlamentar për hetimin e incineratorëve.