Shenja paqeje për Amnistinë? Manja bën diversion: Demokratët në garë kush do thyejë bojkotin e kush do quhet tradhtar

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në një prononcim për mediet, akuzon deputetët e opozitës se tjetër qëndrim mbajnë në tryeza dhe tjetër qëndrim shfaqin para medieve.

I pyetur për draftligjin për amnistinë, Manja tha se ndryshimi i propozuar nga Komisioni i Ligjeve nuk është shkak që opozita të tërhiqet nga votimi i tij. Ai tha se projektligji final i dorëzuar në sallën e Kuvendit nuk do të kthehet tek komisioni i Ligjeve dhe opozita duhet të bashkohet dhe ta votojë këtë akt mëshire.

“Kjo opozitë nuk e ka hallin e protestuesve. Ju e patë që Lulzim Basha ka sjellë disa amendamente në komision dhe thotë të amnistojnë protestuesit 2018-2020 dhe jo të tjerët. Po këto që protestuan pas 2020-ës, të 8 janarit, që vajtën tek godina e PD, të “Rithemelimit”, që protestuan në mënyrë të paligjshme kundër Lulzimit atje? Këto të mos i amnistojmë ne?! Dhe prandaj, më erdhi mirë dje, që mbas deklaratës sime, reflektoi PD, dhe doli e tha, patjetër, jemi dakord me ministrin që të amnistohen dhe protestuesit e tjerë pas vitit 2020”, tha Manja.

“Ne s’mund të amnistojmë protestuesit e Lulit, dhe të mos amnistojmë protestuesit e tjerë. Ky është mesazhi i mirë që dha dje dhe opozita. Dhe, tjetra, ka një fjalë timen të nxjerrë dje nga konteksti”, shtoi Manja.

Ai sqaroi edhe një herë deklaratën tij të një dite më parë. “Dhe janë mjeshtra këto të opozitës për gënjeshtra dhe për të manipuluar opinionin publik. S’e thashë unë dje në intervistë, ore, mos u besoni këtyre politikanëve të opozitës kur thonë se me këtë amnisti, mazhoranca do të amnistojë korrupsionin e zyrtarëve të lartë, sepse gënjeshtra kur thuhet 1 herë, 3 herë, 3 herë apo 4 herë, kthehet në institucion. Dhe kur them e kam nga eksperienca, e them nga eksperienca si prokuror. Dhe unë e kam nga eksperienca si ish-prokuror, kam parë shumë gënjeshtarë, por tani në politikë po shoh dhe gënjeshtarë që ndryshe thonë para medieve, dhe ndryshe thonë në tavolina”, tha Manja.

“Në tavolina thonë, z. Ministër, ne do ta votojmë amnistinë, dhe sa dalin para medieve, dalin te vesi i gënjeshtrës. Një nga shtysat për të patur një ligj amnistie kanë qenë dhe ekzigjenca që deputetët e grupeve politike marrin nga zonat e tyre. Tani, vijnë aty dhe kanë hallin se kush do e thyejë i pari këmbën për të hyrë në parlament dhe t’u zërë vendin atyre. Kushtëzojnë dhe vënë kushte për votën për opozitën, për amnistinë. Dua të jem i qartë sot nga Vlora”, tha Manja.

Ministri i Drejtësisë shtoi se “mazhoranca, unë si ministër Drejtësie dhe kjo mazhorancë dhe komisioni i Ligjeve e çuam draftin e amnistisë në sallën e Kuvendit. Dhe ky draft amnistie nuk amniston asnjë zyrtar të akuzuar për korrupsion, nuk amniston asnjë person të dënuar nga GJKKO. Tani, më thuhet që vë kushte, hiq këtë, hiq këtë, që të japim votën. Jo, ne kërkojmë votat e çdo deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, sepse amnistia nuk është thjesht dhe vetëm çështje e jona, është çështje e sovranit. Tani, kërkon të amnistohen jo protestuesit, por zjarrvënësit. Ç’lidhje ka një njeri që është dënuar për shkatërrim prone me zjarr? Ç’lidhje ka një person që është dënuar për goditje për shkak të detyrës të punonjësit të policisë, apo për shkelje të rregullave për lëndët plasëse? Këtu nuk është amnisti për protestuesit, por amnisti për njerëz që kanë kryer krime të rënda në këtë vend”.

“Ne jemi të hapur, sigurisht, që të ulemi aty në sallën e parlamentit dhe kërkesa racionale që nuk bien ndesh me parimet e kësaj amnistie dhe që sigurojnë një balancë mes amnistisë si akt human, por dhe veprimtarisë së sistemit të drejtësisë. Jemi gati të ulemi dhe të bisedojmë, por nuk pranojmë kushte për një gjë që nuk na takon vetëm ne.

Secili nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë e ka një votë për ta dhënë për këtë ligj, që është një ligj human, është një akt mëshire i sovranit, por s’mund të vendosni kushte për ti përdorur për axhenda politike, thjesht dhe vetëm se duhen 84 vota për të kaluar këtë ligj. E ka ves politika në Shqipëri, sidomos kjo opozitë, sa herë kërkohen 84 vota për një ligj human, kërkon të përfitojë gjëra të tjera për interesa të vogla politike”, tha Manja.

Manja garantoi se nga ndryshimet ligjore nuk amnistohet asnjë nga të dënuarit apo të hetuarit e SPAK, por ka ulje dënimi për ata që kanë marrë vendime të formës së prerë.

“Është shtuar një amendament, në komisionin e Ligjeve bëhe fjalë për ulje dënimi, jo amnisti. Amnistia totale ta heq njollën, quhesh i padënuar, ulja e dënimit nuk ta heq njollën, por je i dënuar. Komisioni i Ligjeve si komision ekspertize, për shkak të barazisë para ligjit, shtoi këtë amendament.

Qeveria nuk e kishte këtë. Ky është misioni i komisionit të Ligjeve dhe Kuvendit. Ai është sovrani. Këtë bëri komisioni i Ligjeve, kjo s’mund të jetë shkak për të thënë s’ka amnisti”, tha Manja.

EMISIONET