Rama valëvit flamurin e nisjes së etapës së dytë të Giro d'Italia nga sheshi "Skënderbej", shoqërohet nga Linda dhe Zaho

Rama valëvit flamurin e nisjes së etapës së dytë

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në nisjen e etapës së dytë të Xhiros së Italisë që u mbajt në Tiranë. Në fjalën e tij në nisje të etapës, Rama u shpreh se qielli i kaltër me të cilin vendi ynë pret Xhiron e Italisë është shenjë e dashurisë së pakushtëzuar për Italinë.

Rama shtoi se, “ky është moment i një krenarie të madhe për të gjithë sepse mund të presim kaq shumë njerëz të bukur dhe nga ana tjetër t’i tregojmë Italisë dhe gjithë botës, përmes të gjithë televizioneve që ndjekin Xhiron e Italisë një vend të mahnitshëm”.

Rama falënderoi të gjithë ata që transmetojnë Xhiron e Italisë sepse theksoi ai, “mora mesazhe nga miq të mitë që më thonin “kemi një vend të pabesueshëm”. Po ndihmoni edhe shumë shqiptarë për të zbuluar një bukuri për të cilën nuk mund të ankohen”.

Rama u shpreh se “është kjo ngjyra e mrekullueshme, roza që është me të vërtetë e bukur dhe duhet të bëj komplimente për presidentin Cairo (Urbano Cairo, President i RCS Media Group…shënim i Redaktorit) dhe të tjerët që kanë bërë këtë Xhiro diçka fantastike që shkon përtej sportit dhe bëhet një festë popullore dhe një festë e popujve”.

Më pas Mauro Vendi, drejtori i Xhiros së Italisë i dhuroi kryeministrit Rama flamurin zyrtar të Xhiros së Italisë, që mban ngjyrën rozë. Danezi Mads Pedersen fitoi garën e parë të Xhiros së Italisë që nisi dje nga Durrësi dhe përfundoi në Tiranë.

Edicioni i 108-të i “Giro d’Italia” filloi nga Durrësi dhe do të përfundojë pas 21 etapash prej 3443,3 kilometrash në Romë, të dielën e 1 qershorit.

Për herë të parë në histori turneu do të ketë tri etapat e para në Shqipëri. Nisja e Etapës së Parë u krye në orën 13:10 nga Durrësi për të arritur në Tiranë, pas 160 kilometrash.

184 çiklistë nisën pedalimin që përfundoi në Tiranë. Ky event transmetohet në më shumë se 200 vende të botës dhe më shumë se 800 milionë teleshikues do të jenë për tri ditë me sytë nga Shqipëria.

EMISIONET