Rama: Rezultati historik i 14 majit, shprehje e një pritshmërie shumë të madhe

Rama: Rezultati historik i 14 majit, shprehje e një pritshmërie

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot nga Durrësi se rezultati i arritur në zgjedhjet e 14 majit është historik për PS-në, e cila u konfirmua për herë të parë pas 20 vitesh forcë e parë edhe në këshillin bashkiak të Durrësit, por edhe në bashki të tjera.

Në një takim falënderues në Durrës pas rezultatit të arritur në zgjedhjet e 14 majit, Rama vlerësoi veçanërisht modelin që ofron PS Durrës për nga mënyra se si është organizuar dhe funksionon, duke punuar në çdo qelizë të territorit.

Rama theksoi se rezultati i zgjedhjeve është një barrë shumë e madhe. “Ka qenë rezultat i jashtëzakonshëm dhe fakti që ne marrim një rezultat, më të mirin historik në zgjedhjet vendore dhe që është rezultat më i miri historik i PS-së në aspektin e numrit të votave në gjithë Shqipërinë është shprehje e një pritshmërie shumë të madhe, por jo e një kënaqësie të madhe të njerëzve me punën tonë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se do të ishte gabim i madh nëse vota merret si kënaqësi.

“Ne jemi pa diskutim zgjedhja e tyre më e mirë. Është gjë e madhe që pas një periudhe relativisht të madhe në qeverisje prapë marrim këtë mbështetje. Kjo do të thotë se kanë pritshmëri jo se janë të kënaqur me ne, sepse ka shumë gjëra që mund t’i bëjmë më mirë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se kjo fushatë zgjedhore ishte sa lokale, aq edhe kombëtare.

“Është shumë e rëndësishme që ne të kuptojmë se kemi hyrë në një borxh shumë të madh duke i kërkuar votën. Ajo që kemi marrë prej tyre është një sfidë shumë e madhe e jashtëzakonshme. Këtu nuk kam parasysh vetëm votën që na është dhënë ne direkt, por edhe votën që nuk u është dhënë atyre. Ata bëjnë llogari të çuditshme por faktikisht kanë marrë apo jo 250 mijë vota dhe kjo vjen si rezultat i braktisjes që i kanë bërë ata që i kanë mbështetur historikisht”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se PS është e vetmja që mund t’i bëjë punët më mirë, por kjo nuk do të thotë se i kemi bërë të gjitha gjërat mirë.

EMISIONET