Rama: Qendër shëndetësore verore edhe në shëtitoren e Pogradecit
Për të përballur fluksin e shtuar të turistëve gjatë verës, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur çadra mjekësore përgjatë vijës së liqenit të Pogradecit. Qendra shëndetësore në shëtitoren e Pogradecit është një nga 34 qendrat verore në shërbim të turistëve vendas dhe të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga vizita në këtë qendër e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ndërsa theksoi se “kjo qendër ofron kujdes shëndetësor të pandërprerë dhe cilësor gjatë periudhës së verës, kur numri i vizitorëve në qytet rritet ndjeshëm”.
Çadrat janë të pajisura me personel mjekësor dhe pajisje të nevojshme për të ofruar ndihmë të shpejtë dhe shërbime mjekësore të menjëhershme për turistët e huaj dhe vendas.
Ky shërbim ka për qëllim të garantojë siguri dhe kujdes shëndetësor të mjaftueshëm gjatë periudhës së verës, kur numri i vizitorëve në qytet rritet ndjeshëm. Qendrat shëndetësore verore janë të hapura 24 orë në 7 ditë dhe funksionojnë nga 1 qershori deri në 30 shtator.
Ato janë të shpërndara gjeografikisht në të gjitha zonat kyçe të frekuentuara nga turistët, nga Thethi e Korabi, deri në Ksamil. Qendrat e reja verore, që janë çelur për herë të parë këtë vit janë ato në Hamallaj, Radomirë, Jalë dhe Bogë.
Në veri të vendit, funksionojnë 10 qendra, në Shqipërinë e Mesme 9 qendra shëndetësore dhe në zonën e jugut 15 të tjera. Urgjenca ka vendosur në dispozicion të pushuesve 20 postacione fikse me autoambulanca në zonat turistike. Ndërsa për herë të parë shërbejnë në këtë sezon motoambulancat.