Rama në lagjen e rindërtuar në Laç: 375 familje në shtëpi të reja
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot në Laç lagjen e rindërtuar pas tërmetit.
Shumë shpejt në këtë lagje të rindërtuar do të akomodohen në shtëpi të reja 375 familje, me të gjithë parametrat e infrastrukturës nga rrugët e brendshme të asfaltuara, te ndriçimi, hapësirat e gjelbra, e për ta kompletuar gjithë projektin, me një qendër të re shëndetësore për qytetarët.
Rama shoqërohej nga ministri i Drejtësisë dhe njëherësh drejtuesi politik i PS për qarkun Lezhë, Ulsi Manja dhe kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara.
Cara u shpreh se, “tashmë po shkohet drejt përfundimit të 60 apartamenteve, për të bërë gati në fillimin e korrikut hedhjen e shortit dhe për 60 familjet e para dhe po ecim vazhdimisht dhe me hyrjet e tjera për të bërë të mundur që brenda këtij viti të dorëzojmë edhe të gjithë lagjen e rindërtuar”.
“Në këtë lagje të re për zhvillim janë 270 apartamente, ka 6 mijë metra katrorë infrastrukturë nëntokësore, parkime dhe të gjitha katet e para të gjithë objekteve janë me njësi shërbimi që do të jenë pastaj edhe një promotor ekonomik për gjithë zonën”.