Rama: Kushte më të mira për 650 nxënës e mësues të shkollës “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan

Rama: Kushte më të mira për 650 nxënës e mësues

Në shkollën “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan janë drejt përfundimit punimet për rikonstruksionin e saj. Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ambientet e kësaj shkolle, e cila do të sigurojë një mjedis të përshtatshëm për mësim dhe zhvillim.

“Drejt fundit punimet në shkollën “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan, një tjetër investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, që do të garantojë kushtet më të mira për 650 nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle”, tha Rama.

Në bashkinë e Elbasanit janë financuar 3 objekte shkollore: Shkolla “Kostandin Kristoforidhi”, Shkolla Artistike “Onufri” dhe ambientet sportive të shkollës “Luigj Gurakuqi”. Në nivel qarku, janë financuar 6 objekte arsimore në 4 bashkitë e qarkut: Elbasan, Cërrik, Gramsh dhe Librazhd.

Këtë vit, përmes programit të rehabilitimit të shkollave dhe terreneve sportive të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, pushtetit vendor dhe së bashku me Programin e Rindërtimit do të përfundojë ndërtimi dhe rehabilitimi i 100 shkollave në të gjithë vendin.

 

EMISIONET