Rama: Bektashizmi, monument i gjallë kulture që duhet të mbrohet medoemos nga shteti dhe populli shqiptar

Kryeministri Edi Rama po merr pjesë sot në aktivitetin e organizuar për 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri, ku theksoi se  “Bektashizmi është një monument i gjallë kulture që duhet të mbrohet medoemos nga shteti dhe populli shqiptar”.

Ky aktivitet organizohet nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit, me pjesëmarrjen e klerikëve bektashianë e besimeve të tjerë fetarë, krerëve të lartë shtetëror të vendit, besimtarë e dashamirës.

Në fjalën e tij, Rama tha se “është privilegj të marr fjalën në këtë përvjetor jubilar të krijimit të qendrës botërore të Bektashizmit në Shqipëri dhe të përcjell qoftë shprehjen e admirimit për rolin e  bektashinjve shqiptarë në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe përpjekjen shqiptare për pavarësi.

Qoftë edhe shprehjen e solidaritetit për vështirësitë gjithnjë e më të madha, unikale në llojin e tyre me të cilat përballen në ditët tona ata që sot e gjithë ditën mbajnë ndezur flakën e këtij besimi”.

“Mora këtu me vete sot këtë libër posaçërisht voluminoz të një studiuesi të mirënjohur i huaj, por i dashuruar me Shqipërinë dhe shqiptare Robert Elsie, i cili edhe varrin kërkoi ta kishte në Shqipëri.

U sugjeroj ti hedhin një sy të gjithë ata që do të duan të shprehen për idenë e dhënies së një statusi sovraniteti selisë së Kryegjyshatës Botërore të bektashinjve.

Këtu në këtë përmbledhje shumë të detajuar të kësaj historie shqiptare do të gjejnë të gjitha arsyet e shëndetshme për Pse-në e kësaj ideje dhe çdo shqiptar pavarësisht në beson në Zot apo nuk beson në Zot, pavarësisht nëse është mysliman, i krishterë, apo bektashi po e po, nëse është sado pak patriot do ta ketë të pamundur të mos mallëngjehet nga historia e jashtëzakonshme e përpjekjeve dhimbjeve, sakrificave për mëmëdheun që e bëjnë bektashizmin një pasuri të paçmueshme të trashëgimisë sonë historike dhe kulturore”, theksoi Rama.

EMISIONET