Rama mbledh kandidatët e Shkodrës në Shirokë: Kemi zgjedhur ekip të motivuar! Nesër shpaloset programi i PS-së
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Shkodër për të vijuar takimet e tij me kandidatët socialistë me të cilët do të kërkojë votën më 11 maj.
Gjatë ditës Rama do të ketë takime dhe me socialistë por dhe do të inspektojë projektet e qeverisë që po përmirësojnë jetesën e banorëve të këtij qarku.
"Kemi zgjedhur ekip të motivuar për të punuar fort' tha Benet Beci, drejtuesi i PS-së së qarkut të Shkodrës.
Rama në nisje të fjalës së tij theksoi se është moment historik për anëtarësimin në BE.
“Dje komentova një publikim të bërë, anketimi që ka filluar në 1983-in, i gjithë popujve të Bashkimit Evropian, lidhur me sa e mbështesin BE-në, ka nxjerr një rezultat shokues. BE sot si organizim në gjithë 27 vendet ka mbështetjen më të madhe që ka pasur që nga 1983-i. Mbështetje që i ra shumë në vitet paraardhëse. Pse e ka mbështetjen? Sepse popujt e e Evropës e kanë ndjerë që duhet të bashkohen, duhet të jenë bashkë, duhet të garantojnë perimetrin sepse këtu bëhet fjalë për ekzistencën dhe për të mbrojtur sovranitetin, për të mbrojtur lirinë, për të mbrojtur të gjithë ato që janë fituar nga kërcënimet e ndryshme dhe nga lufta”.
“Tani çfarë do diskutojmë neve këtu në 11 maj. Në momentin që ka një luhatje dhe luhatjen unë nuk e shoh si një kalim i shumicës nga një anë në tjetrën se kjo nuk ndodh, por ka një luhatje në aspektin se çfarë shumice del. Del një shumicë si kjo që kemi. Del një shumicë më e vogël pra del 71, del 74 çfarë del. Apo del një shumicë që i thotë Brukselit dhe i thotë të 27 vendeve “ne populli shqiptar duam urgjent të hyjmë në BE dhe prandaj e mbështesim këtë forcë politike, pavarësisht se nuk jemi të gjithë me këtë forcë politike. Siç shqiptarët mbështetën PD-në në 1992-in kur i dhanë fund ndarjes me historinë e së shkuarës dhe hapën një kapitull të ri. Nuk ishin të gjithë anëtarë apo simpatizantë të PD-së, por ishte PD-ja e vetmja gjë e mundshme në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Sot është koha e duhur 11 maji, ky është vendi i duhur, të jesh në qendrën e votimit dhe patjetër që adresa e duhur është vetëm PS-ja. Çdo gjë tjetër është një budallallëk”, tha Rama.
“Ku do ta çosh votën për çfarë, për marrëzitë që fliten. Këneta as nuk diskutohet. Parti të reja. Partia më e re sot dhe unë po jua them statistikisht është PS”, theksoi Rama.
“Më erdhi për të qeshur kur pashë që këto të rejat kishin nja 17 personazhe që i prekte dekriminalizimi. Nuk diskutohet që s’kam asnjë akuzë për të bërë sepse unë e di sesi mund të ndodhë. Nuk kanë pasur dijeni, por kanë dalë rrugëve, kanë kërkuar njerëz. Merr babën, merr xhajën, merr vëllain, merr atë, pastaj kë do kapim dhe ndonjë tjetër për të mbushur listën. Dhe çfarë do t’i japësh atyre. Puna e tyre të bëjnë çfarë t ë duan, të hanë kokat me njëri tjetrin nga ajo anë.
“Unë këtu e kam për ata që janë mendje hapur dhe pavarësisht se mund të mos jenë mbështetës të PS-së dhe nuk ju them hajde bëhuni mbështetës, hajde bëhuni socialistë, ju them votoni në datën 11 maj që ne të jemi bllok dhe t’i themi BE-së “po vijmë””, theksoi Rama.
“Dhe në 12-13 maj kur këtu të numërohen votat ata 1 mijë veta që merren me negociatat të vazhdojnë punën dhe të mos rrinë të shohin televizor të thonë prit si po shkon Shkodra. Nuk duhet të ndodhi, shumë e thjeshtë. Nuk duhet të ndodhi, përndryshe vështirësohen gjërat dhe s’kemi pse vështirësojmë një mundësi historike”, tha Rama.
Rama u shpreh se nesër shpaloset programi i PS për Shqipërinë 2030.
“Nesër ne kemi shpalosjen e “Shqipërisë 2030” bashkë me të gjithë grupin e deputetëve për t’i dhënë një perspektivë me pikëtat kryesore natyrisht, sepse ndryshe nga të tjerët që bëjnë programe elektorale ne kemi një program që për çdo fushë kemi një mal me strategji, me plan me të gjitha. Kështu që është shumë masiv programi ynë, është program qeverisës, se ne qeverisim, ne nuk jemi hajde të kapim ndonjë gjë se s’kemi ndonjë gjë në dorë dhe po i themi do i bëjmë pensionet 500 euro edhe do bëjmë naftën 5 cent.
“Këto i thotë kush s’ka gjë në dorë edhe ia fut kot dhe pastaj as nuk do e provosh dot që e bënte apo s’e bënte, se nuk do fitojë dot, s’do ta ketë mundësinë ta tregoj kështu që punë e madhe fort”, tha Rama.
Kandidatët PS në Shkodër
Lista e mbyllur
Marjana Koceku
Onid Bejleri
Xhenis Çela
Bujar Rexha
Lista e hapur
Edona Bilali
Enertil Canaj
Ervin Doda
Holta Duda
Frrok Gjini
Besmir Lesha
Marjan Ndershtiqaj
Vera Ndreca
Kejsi Spahija
Shkelqim Sterkaj
Adnan Shullani