Petro Koçi, për Olta Xhaçkën: Ajo çështja e pronës nuk më pëlqen. SPAK të hetojë oligarkët!
Deri më tani nuk kishim dëgjuar kurrë që një socialist të kërkojë nga SPAK të hetojë oligarkët. Afërmendsh, sepse oligarkët janë të lidhur me pushtetin aktual.
Madje ata janë kryesorët ku shpërndahen paratë publike, tenderë, koncensione, PPP e të tjera qoka. Mirëpo, sa herë që i duhet të flasë, Kryeministri Rama i merr në mbrojtje dhe legjitimon çdo marrëdhënie me ta.
Por, socialisti Petro Koçi, i ftuar në “Të Pashoq” trondit me deklaratën, ku i kërkon SPAK-ut të hetojë oligarkët.
Si e vlerësoni punën e deritanishme të SPAK?
“Unë e quaj shumë të suksesshme, domethënë ka krijuar rezultate të cilat ishin të paimagjinueshme më parë. Për SPAK nuk ka më njeri te paprekshëm. Unë mendoj që duhet bërë më shumë ndaj oligarkëve, pak është bërë në këtë drejtim. Ka nevojë për më shumë”.
Oligarkët tuaj janë, pushteti ua jep tenderët...
“Oligarkët nuk është se janë patjetër produkt i tenderave. Unë mendoj që në momentin që e do kemi edhe oligarkë në bankën e të akuzuarve do jetë një lajm shumë i mirë. Rezultati i deritanishëm për mua është shumë i mirë. E kam thënë disa herë deri tani”, theksoi ligjvënësi socialist.
Deklaratë e fortë kjo që nuk e kam dëgjuar nga socialistët...
“Ajo që ke dëgjuar është që ne mbështesim drejtësinë e re. Kjo është më e rëndësishme sesa përzgjedhja e vetëm një kategorie të caktuar”, u shpreh Petro Koçi.
ÇËSHTJA “XHAÇKA”
I ftuar i në podcast-in “Të pashoq”, deputeti i PS-së Petro Koçi ka folur për shumë çështje, teksa u ndal edhe te opinioni i Komisionit të Venecias mbi mandatin e Olta Xhaçkës.
Pjesë nga intervista
-Si e lexuat vendimin e Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës?
Petro Koçi: Venecia thotë se respektohet në parim vendimi Gjykatës Kushtetuese, por jo kur ajo të urdhërojë t’i dërgohet një çështje. E kam fjalën për urdhrin që Kuvendi t’ia drejtojë çështjen gjykatës. Ajo nuk e urdhëron dot Parlamentin që t’ia dërgojë këtë çështje. Në rastin e trajtimit të konflikti të interesit të një deputeti, Kuvendi ja dërgon Kushtetueses, nëse e gjykon të tillë.
GJK për shembull trajton një ligj dhe thekson se si duhet bërë ligji. Kur ka dispozita që mud të jenë antikushtetuese, etj, i kërkon Kuvendit ta korrigjojë. Ky vendim është në favor të Kushtetutës. Urdhri i dhënë nga Kushtetuesja duhet riparë.
-Çfarë do bëjë tani PS?
Petro Koçi: Nuk ka se çfarë bën më. Opinioni e ka bërë ta qartë se nuk e urdhëron dot votën e deputetit. Urdhri Kushtetueses e kapërcente këtë parim. Votën e deputetit nuk e urdhëron askush. Ndryshe do ishte diktaturë.
Meqë ju zakonisht flisni drejt, mendoj se PS e mbrojti Olta Xhaçkën?
Petro Koçi: Mua ajo çështja e pronës nuk më pëlqen. Duke parë nga larg dhe ajo që lexojmë, është si moment kompromentues. S’ka lidhje me papajtueshmërinë e mandatit. Konflikti i interesit është personal. Bashkëshorti i një deputeti mundet të bëjë dhe një akt penal, nuk mban përgjegjësi ai ose ajo që është deputet. Nuk mban përgjegjësi familjare.