“Pesë tregje në hyrje të Tiranës”, Bejko në Zall Bastar: Prioritet do të jetë prodhimi vendas

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Roland Bejko, premtoi se në hyrje të kryeqyetetit do të ndërtohen 5 tregje të cilat do ti japin shtysë tregtimit të prodhimit vendas.Gjatë një takimi me banorët e Zall Bastarit, Bejko premtoi dhe ndërtimin e 250 kilometrave rrugë rurale për të lehtësuar fermerët.

5 tregje të reja në hyrje të Tiranës dhe 250 kilometra rrugë rurale.

Këto ishin premtimet e kandidatit të Partisë Demokratike, Roland Bejko, gjatë një takimi me banorët e Zall Bastarit ku kërkoi dhe votat e tyre për zgjedhjet e 14 majit.

“Në hyrje të Tiranës do të ketë tregje ushqimore. Do jenë 5 tregje kryesore, në 5 arterie që të fusin në Tiranë. Për shembull nga zona juaj, meqë ju kaloni te rruga e Arbrit, mu në hyrje të Tiranës. Ne e quajmë treg me kilometrin zero, se gjithë periferia ku gjendeni ju bashkë me bashkinë quhet zero km, 1 bashki”.

Një prioritet tjetër për Bejkon është edhe zhvillimi i turizmit në zonat rurale të Tiranës.

Sipas kandidatit të PD-së një tjetër premtim është edhe përgjysmimi i taksave vendore.

“Taksa e infrastrukturë shkollore, taksa e infrastrukturës sportive që paguhet si në fshat si në qytet, si nga ata që kanë fëmijë, si nga ata që s’kanë fëmijë në shkolla, ne do ta heqim këtë, sepse është e tepërt. Të gjitha tarifat për pastrimin do të përgjysmohen dhe kjo do të bëjë që të lirohet edhe më shumë barra e tatimpaguesve në bashkinë e Tiranës”.

Ndërkohë, Roland Bejko, vijon me takimet me banorët e Tiranës në disa zona të kryeqytetit.

“Pesë tregje në hyrje të Tiranës”, Bejko

zgjedhjet e 14 majit fushata zgjedhore

EMISIONET