Pesë minuta në SPAK, Malltezi njihet me akuzat e korrupsionit dhe pastrim parash: Gënjeshtra të trasha!
Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, ku u njoh me akuzën që rëndon ndaj tij për çështjen e privatizimit të ish-Kompleksit Sportiv “Partizani”.
Ndaj Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhjen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Partizani.
Pasi qëndroi vetëm disa minuta në SPAK, për t’iu rikthyer sërish arrestit shtëpiak, Malltezi foli për mediat, ku i cilësoi të pabaza akuzat ndaj tij. Sipas tij, prokurorët e posaçëm “gënjejnë, sepse i shërbejnë qeverisë”.
“Gënjejnë kaq shumë këto prokurorë, janë afërmendsh shërbyes të qeverisë. Kanë gënjyer dhe janë për t’u keqardhur. Kush i bën të gënjejnë aq trashë, sa nuk vendosin planin e 2008, i firmosur nga Edi Rama. Njerëz që gënjejnë, thjesht duhen mëshiruar. Nga njëra kemi Ramën që nxjerr 4 VKM për të vjedhur pronën e pronarëve. Nga ana tjetër, kemi ndërtimin e çerdheve. Janë të njëjtat akuza. Jemi në situate afërmendsh. Aty nuk isha as 5 minuta, nuk pashë më shumë“, tha Malltezi.
Po ashtu, dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha i janë sekuestruar asete pasurore, mes tyre llogari bankare, vilë, apartamente, por edhe aksione të shoqërive që janë nën hetim për dosjen “Partizani”.