DOKUMENTI/ PD kërkon shkarkimin e Erion Veliajt: Mungon prej 3 muajsh! Më 12 maj të mblidhet Këshilli Bashkiak

DOKUMENTI/ PD kërkon shkarkimin e Erion Veliajt: Mungon prej 3 muajsh!

Anëtarët demokratë të Këshillit Bashkiak të Tiranës kanë kërkuar shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga detyra, për shkak të mungesës së tij të gjatë në detyrë, pas arrestimit të tij në muajin shkurt.

Sipas kërkesës së paraqitur, mungesa e Veliajt ka zgjatur për një periudhë tre-mujore, që përfundon këtë fundjavë, pas datës 10 shkurt 2025, kur ai u arrestua.

Në kërkesë, specifikohet se kjo mungesë e pandërprerë për një periudhë tre-mujore e bën atë të përfshirë në nenin 62, shkronja c të Ligjit Nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i cili parashikon shkarkimin e kryebashkiakut në rastet e mosparaqitjes në detyrë për këtë periudhë.

Për këtë arsye, anëtarët e Këshillit Bashkiak kërkojnë mbledhjen e Këshillit të Bashkisë Tiranë më 12 maj 2025, ditën e parë të punës pas përfundimit të periudhës tre-mujore, me qëllim zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe dërgimin e propozimit për shkarkimin e Erion Veliajt në Këshillin e Ministrave.

“Bazuar në Ligjin Nr. 139/2015 “Per Vetëqeverisjen Vendore”, të ndryshuar, neni 62, shkronja c, që shprehet se “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim te Këshillit te Ministrave në rastet kur (pika c: propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak perkates per mosparaqitje në detyre për nje periudhe 3- mujore te panderprere” ju bëjmë me dije se periudha 3-mujore e cituar në ligj përfundon këtë fundjave, pasi ka filluar me datë 10 shkurt 2025 në ditën e arrestimit z. Erion Veliaj.

Si rrjedhojë, kërkojmë:

Mbledhjen e Këshillit Bashkiak te Bashkise Tirane, me date 12 maj 2025, dita e parë e punës pas kalimit të afatit 3-mujor të mosparaqitje të pandërprerë në detyre te z. Erion Veliaj, me objekt zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe propozimin në Këshillin e Ministrave të shkarkimit të z. Erion Veliaj”, thuhet në kërkesë.

DOKUMENTI/ PD kërkon shkarkimin e Erion Veliajt: Mungon prej 3 muajsh!
KERKESA E PD

Me heret gjate dites se sotme Ilir Alimehtmeti dhe Ilda Zhulali, dy anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës Partia Demokratike, kanë bërë thirrje për veprim urgjent nga ky organ, duke kërkuar shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.

Ky i fundit është arrestuar mesditën e 10 shkurtit dhe vazhdon të mbahet në qeli për korrupsion pasiv në të paktën 9 episode dhe për pastrim parash, kryer në bashkëpunim.

DOKUMENTI/ PD kërkon shkarkimin e Erion Veliajt: Mungon prej 3 muajsh!

Ata e kanë theksuar se kjo çështje nuk është më një debat politik, por një çështje morale dhe ligjore, që ka për qëllim rikthimin e besimit të qytetarëve në administratën e Tiranës.

Përmes një fjalimi të drejtpërdrejtë përpara ambjenteve të bashkisë, Alimehtmeti dhe Zhulati kërkuan që Këshilli Bashkiak të mblidhet dhe të zbatojë ligjin për të korrigjuar këtë situatë.

Zhulali, gjithashtu, i bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që të reflektojnë mbi realitetin e qeverisjes aktuale dhe të mbështesin një model më të përgjegjshëm dhe të drejtë.

Ilir Alimehtmeti: "Ditën e hënë kërkojmë që Këshilli Bashkiak të mblidhet dhe të zbatojë ligjin. Ne duhet të rikthehemi në lidhje dhe kjo çështje, pra shkarkimi i Erion Veliajt, nuk është më një diskutim partiak apo politik, por është një çështje morale dhe politike që ne do ta bëjmë për të rikthyer integritetin dhe besimin e qytetarëve në Bashkinë e Tiranës".

DOKUMENTI/ PD kërkon shkarkimin e Erion Veliajt: Mungon prej 3 muajsh!

Ilda Zhulali: "Unë do i ftoja qytetarët e Tiranës që të reflektojnë. Çfarë kemi ne sot në Tiranë? Kemi një model qeverisje lokale dhe një institucion që nuk ka kokë, por vetëm gjymtyrë. Ky sistem është dënuar për korrupsion dhe gjendjen në burg. Po ashtu, po në këtë qytet sot ndodhet edhe qeverisja qendrore, ku do të bëhen të gjitha, do të jetë edhe kryetar bashkie dhe edhe kryeministër.

Prandaj, qytetarët duhet ta mendojnë dhe reflektojnë dhe të shkojnë të votojnë kundër këtij modeli. Ky nuk është model qeverisje për qytetarët, nuk është mënyra për të trajtuar qeverisjen e tyre.

Kështu që besoj se bashkë me Ilirin kemi treguar, edhe këto ditë, pavarësisht fushatës elektorale, kemi ardhur për të bërë detyrën tonë si anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, si njerëz të përgjegjshëm që e marrin qeverisjen seriozisht. Kjo është ftesa jonë për çdo qytetar të bëjë detyrën e tij. Ne kemi në dorë të bëjmë këtë shpërblim për Këshillin Bashkiak për shkarkimin e Veliajt dhe qytetarët kanë në dorë votën".

EMISIONET