“Opozita nuk di të investojë për vendin”, Rama kërkon votat për Erion Isain dhe Gëzim Topçiun
Kryeministri Rama zhvilloi takime në Kolonjë dhe Maliq ku kërkoi mbështetjen e qytetarëve për Erion Isain dhe Gëzim Topçiun. Gjatë fjalës së tij, përveç premtimeve për investime të reja, Rama u shpreh se përfaqësuesit e opozitës nuk dinë të investojnë për vendin.
Kryeministri Rama vijon me turin e takimeve në bashkitë e vendit në kuadër të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 14 majit.
Gjatë kësaj të marte, vendtakimi i parë ishte në Kolonjë, ku edhe kërkoi votat e qytetarëve për mandatin e dytë të Erion Isait.
Gjatë fjalës së tij ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos votojnë kundërshtarët, teksa u shpreh se përfaqësuesit e opozitës nuk dinë të investojnë për vendin.
"Ata nuk meritojnë asnjë shans në asnjë pikë të vendit. As nuk dinë, as nuk duan as nuk kanë ndërmend fare ta vrasin mendjen për këtë punë."
Nga Maliqi, ku kërkoi mbështetjen për kryebashkiakun Gëzim Topçiun, i cili ka rreth 23 vite në atë post.
Rama premtoi investime të reja që sipas tij do të tërheqin turistët.
“Ne kemi mundësi të shohim se e ardhmja është shumë më mirë se e tashmja. Tani është momenti që të vijojmë punë për të lidhur këtë pjesë këtu me pyllin e fazanëve dhe për të lidhur qytetin e peshkut me mrekullinë në krahun tjetër përmes një shëtitoreje të bukur dhe për të bërë të mundur që turistët të vijnë edhe për të vizituar zonën duke hyrë në sinergji të re me Korçën. Këto janë jo vetëm të mundshme por punë që do i realizojmë bashkë me Gëzimin”, tha Rama.