Çollaku: Hapja e bazës së Kuçovës, lajm i mirë për vendin dhe rajonin
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku u shpreh sot se “hapja e bazës së Kuçovës është lajm shumë i mirë për vendin dhe rajonin tonë”.
Sipas tij, “anëtarësimi në NATO është ndër ditët më të shndritshme të historisë së Shqipërisë”.
“15 vjet më parë, pas një pune të jashtëzakonshme me mbështetjen e SHBA-së dhe aleatëve tanë, Shqipëria ia doli të hapë një faqe të re në historinë e saj, duke u bërë anëtare e NATO-s. Nga një konsumuese e sigurisë, Shqipëria u shndërrua në kontribuese për sigurinë. Sot, kur siguria është më e kërcënuar se asnjëherë më parë që nga lufta e ftohtë, një mirënjohje shkon për aleatët tanë të NATO-s, që mundësuan vënien në funksion të bazës ajrore të Kuçovës”, tha ai.
Ndërkohë Çollaku kërkoi që mazhoranca të miratojë amendamentin Basha për t’i akorduar Kosovës 50 milionë euro ndihmë ushtarake për mbrojtjen e saj.
“Sot kërkohet më shumë angazhim dhe përkushtim e jo propagandë për të zhvilluar potencialin mbrojtës të vendit e për sigurinë tonë kombëtare që është e lidhur ngushtësisht me sigurinë e Kosovës. Prandaj është edhe njëherë dita për t’i bërë thirrje mazhorancës të miratojë pa humbur kohë amendamentin Basha për t’i akorduar Kosovës 50 milionë euro ndihmë ushtarake për mbrojtjen e saj. Siguria e çdo vendi fqinj me Shqipërinë, është siguri për vetë Shqipërinë”, tha ai.