Noka: Shpiragu, mashtrimi radhës i Edi Ramës! Në 11 vite hoqi një e nga një tullat e themeleve të shtetit
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, i shoqëruar nga n/kryetari i PD, Luçiano Boçi, n/kryetari i grupit parlamentar, Ervin Salianji, drejtuesi politik i qarkut, Enno Bozdo dhe koordinatori për qarqet e jugut, Aurel Bylykbashi, kanë vijuar takimet me demokratët e Kuçovës.
Në fjalën e tij, Noka akuzoi qeverinë socialiste, e cila sipas tij është kthyer në një bandë hajdutësh, në një çetë kaçakësh, hajdutësh, që nuk kanë mision qeverisjen, por mision të vetëm kanë plaçkitjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sipas Nokës, në 11 vite Edi Rama bëri gjithçka që ti heqë një e nga një tullat e themeleve të shtetit.
Flamur Noka: A vuri Edi Rama në 11 vite, qoftë edhe një tullë në themelet e shtetit shqiptar për ta konsoliduar atë? Ne sot nga Kuçova themi jo. Themi jo, sepse në 11 vite Edi Rama bëri gjithçka që ti heqë një e nga një tullat e themeleve të shtetit dhe sot nga shtet shqiptar është kthyer në një bandë hajdutësh, në një çetë kaçakësh, hajdutësh, që nuk kanë mision qeverisjen, por mision të vetëm kanë plaçkitjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Misioni i tyre është vetëm një, mashtrim dhe ceremoni me regji që të nxjerrin bukur në reklamë, shefin e tyre.
E përmendën parafolësit çështjen Shpiragut. Si mashtrimi që bëri, që për 300 ditë policia do ti japë rend e siguri Shqipërisë, ndërkohë që sot Shqipëria është e zhytur në krim, batak, drogë si kurrë më parë. Si mashtrimi që tha për shëndetësinë falas dhe sot është shëndetësia më e rrënuar dhe e vjedhur, shkatërruar në Europë. Si mashtrimi me 300 mijë vendet e punës, ashtu ishte edhe mashtrimi i Shpiragut. Shpiragu tha do të jetë një pasuri e madhe kombëtare, dhe do të hapim edhe një fond sovran që të menaxhojmë miliardat që do të vijnë nga Shpiragu, sepse buxheti i shtetit nuk i përballon dot të ardhurat që do të vijnë.
Sot po të shikoni faqen e Shell nuk ekziston më, është tërhequr. Një mashtrim fund e krye, siç e kanë zakon këta të mashtrojnë. Por sot e shikon Kuçovën dhe gjithë Shqipërinë, të braktisur. Të merr malli sot të shohësh në rrugët e Shqipërisë 5 të rinj. Të takosh të rinj që duan të ndërtojnë jetën e tyre këtu. Po pse? Pse ndodh kjo? A mos vallë i ka lodhur dhe mërzitur të rinjtë mrekullia qeverisëse e Edi Ramës. A mos vallë punët që ofron qeveria e Ramës, sot të rinjve dhe të rejave sot nuk u pëlqen. Edi Rama në Shqipëri ka ndërtuar një realitet të zymtë, të trishtë dhe të mjerueshëm. Po ka një realitet siç e thotë ai. Realiteti i derrave dhe dosave të majme që është realiteti në të cilin jetojnë qeveritarët.
Doni të shikoni realitetin e tyre, që është ndryshe nga realiteti që jetojmë ne. Kujtoni çfarë tha Olta Xhaçka në emisionin e Grida Dumës; unë do të ndërtoj një resort në plazhin e Dhërmiut, me tokën e rrëmbyer publike, për të mbrojtur atë plazh nga ata që vijnë nga malet me vendosë çadër. Pra ai që do të shkojë nga majat e maleve në Vlorë, nuk mund të ketë të drejtën për të shkuar, për të bërë plazh, sepse aty do të zhgërryhen derrat e majmur të pushtetit. Standardi i tyre është ky, kush nuk ka vjedhur pronën publike, kush nuk është hajdut e ka të ndaluar të bëjë plazh në bregdet.
Bregdeti është vetëm për hajdutët e pushtetit. A mund ta pranojmë ne këtë realitet që u imponojnë shqiptarëve? Jo, kurrën e kurrës, sepse ne përmbysëm një sistem që na vidhte, poshtëronte, shkeljet me këmbë që na varfëronte, e përmbysëm për një ëndërr të madhe, që vendi ynë, Shqipëria të bëhet si Europa jo të bëhet, Shqipëria si Rusia, se e do Edi Rama, apo pse mendon Edi Rama se duhet të na çojë atje.