SPAK për çështjen “Xibraka”, Bardhi: E vërteta është krejt ndryshe, prokurorët ndihen të pafuqishëm përballë Ramës
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me deklaratën e SPAK, që tha se Olsi Rama nuk është i përfshirë në dosjen kriminale të Xibrakës.
Me anë të një videomesazhi në Instagram, Bardhi thotë se nuk e kupton deklaratën e SPAK, e cila sipas tij nuk është e qartë nëse ka pezulluar hetimet apo ka përfunduar hetimet.
Sipas Bardhit, prokurorët e SPAK për shkak të presionit dhe ndërhyrjes dhe intimidimit detyrohen të kthehen në qesharak. Kreu i Grupit Parlamentar të PD tha se Prokuroria nuk ka bërë asnjë përpjekje për të zbuluar të vërtetën.
“Njoftimi se njëri nuk është, por nuk e dimë kush janë është fiks logjika që përdori para 10 vitesh policia e shtetit, duke na thënë se kishte arritur të identifikonte moshën e personit, konkrete 45 vjeç, por nuk i gjente dot emrin. I kuptoj prokurorët e SPAK sepse ndihen të pafuqishëm përballë pushtetit të Ramës.
E kam patur të qartë pamundësinë e tyre për ta bërë të ndëshkueshëm dikë që ka statusin e pandëshkueshëm për shkak të pushtetit të të vëllait. Por prokuroria kishte shansin të na provonte se ishte e pavarur, e paanshme, profesionale dhe se kryen hetim të plotë dhe të paanshëm”, tha Bardhi.