Mziu: Bujqësia financohet 40 herë më pak ndaj kontributit që jep në PBB
Deputeti i opozitës Xhelal Mziu, akuzoi qeverinë që nuk po mbështet bujqësinë dhe fermerët, duke e çuar këtë sektor drejt falimentit përballë konkurrencës nga importet dhe taksimit të lartë që aplikohet ndaj grumbulluesve bujqësorë.
I pranishëm në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ku ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Duke prezantoi pr/buxhetin 2025 për Bujqësinë, Mziu solli në vëmendje se, “Dibra ka qenë një nga eksportuesit kryesorë në kohën e diktaturës dhe thyente rekorde në prodhimin e disa kulturave bujqësor, ndërsa sot tokat e kësaj zone janë djerrë”.
Sipas tij, prodhimi i kësaj zone konkurrohet nga prodhimet e Maqedonisë së Veriut.
“Fermerët maqedonas mbështeten nga tarifa fikse subvencionimi për blegtori dhe mbështeten për dëmet nga kushtet klimatike. Ndërkohë që tek ne mbështetja është simbolike e papërfillshme”, tha Mziu.
Ai tha se, në mënyrë progresive vijon rritja e importeve të produkteve bujqësore.
“Importi i disa produkteve arriti këtë vit në 70%, çka bëri që turistët të konsumonin prodhimet e tyre dhe jo ato shqiptare. I parashtroj këto shifra për të kuptuar sesa e rëndësishme është bujqësia. Çudia është se 80% e mbështetjes financiare shkon për administratën dhe vetëm 30% shkon mbështetje për fermerin”, u shpreh Mziu.
Sot vijoi ai, edhe dikush që prodhon e shet me çmim 20% më të ulët sepse aplikohet tvsh tek grumbulluesi dhe ju nuk po zhbllokoni situatën dhe ju duhet të gjeni argumente pse bujqësia për çdo vit merr më pak fonde, në një kohë kur alokohen fonde në shuma të konsiderueshme vetëm për projektet e rrugëve .
Gjithashtu tha Mziu, skema e naftës të jepet për kv prodhim, apo për krerë bagëti që financimi të jetë efikas. Ai sugjeroi që të merret eksperiencë ndërkombëtare në hartimin e skemave subvencionuese dhe të shihet buxhetimi mbi bazën e kontributit që jep në PBB.
Mziu tha se, “Bujqësia në raport me kontributin 20% që jep në PBB është e papranueshme të financohet 40 herë më pak”.
Po ashtu vijoi ai, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, shihet se në të gjitha degët më shumë ka pedagogë sesa studentë dhe në territor nuk ka as veterinerë e as agronomë.