Meta: Protestuesit janë dhunuar nga banditët e Ramës, Kuvendi është marrë peng, ligjet miratohen pa debat

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një konferencë për mediat nga ku ka deklaruar se “agresioni dhe dhunimi i protestuesve nga banditët e Edi Ramës është një vepër e rëndë penale”.

Meta u shpreh se drejtësia duhet të nisë hetimet për keqpërdorimin e strukturave të shtetit.

Ai shtoi më tej se Kuvendi prej kohësh është kthyer në një “noter të neveritshëm” që miraton ligjet për llogari të oligarkëve të lidhur me qeverinë, duke u ndalur te miratimi pa debat i ligjit për “masakrimin e zonave të mbrojtura”.

“Agresioni dhe dhunimi i protestuesve nga banditët e Edi Ramës është një vepër e rëndë penale, por drejtësia në vend të ndëshkojë autorët e dhunës pritet të dënojë protestuesit e arrestuar.

I bëjmë thirrje drejtësisë të nisë hetimet penale për keqpërdorimin e strukturave të shtetit.

Ne kërkojmë nga Avokati i Popullit që të reagojë me forcë ndaj këtyre rasteve skandaloze. Shqipëria nuk do të shndërrohet në Bjellorusinë e rajonit ku burgjet të mbushen me kritikë të regjimit.

Kuvendi është kthyer prej kohësh në një noter të neveritshëm që miraton ligjet për llogari të oligarkëve të lidhur me qeverinë. I tillë ishte miratimi pa debat i ligjit të kontestuar edhe nga BE, opozita dhe ekspertët për masakrimin e zonave të mbrojtura që rrezikojnë të kthehen në sheshe ndërtimi për resorte e biznese që kanë synim pastrimin e parave.

Tërheqja nga rendi i ditës i projektligjit për amnistinë ishte një tjetër dëshmi se si Kuvendi është marrë peng nga Edi Rama ku ligjet hiqen dhe shtohen sipas axhendës së kryeministrit”, u shpreh ai mes të tjerash.

EMISIONET