Meta në Turqi, takim me ish-liderin e CHP, Kılıçdaroğlu

Meta në Turqi, takim me ish-liderin e CHP, Kılıçdaroğlu

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, gjatë vizitës që po zhvillon në Ankara të Turqisë, pati një takim me Kemal Kılıçdaroğlu, ish-liderin e Partisë Popullore Republikane (CHP).

Meta u shpreh se Kılıçdaroğlu është gjithmonë i kthjellët dhe i paepur në përpjekjet për një Turqi demokratike dhe europiane.

“Kënaqësi të takoja në Ankara një mik të shkëlqyer të Shqipërisë dhe timin, z.Kemal Kılıçdaroğlu, ish-liderin e Partisë Popullore Republikane (CHP), opozitës kryesore në Turqi.

Gjithmonë i kthjellët dhe i paepur në përpjekjet për një Turqi demokratike dhe europiane”, theksoi Meta në një postim në rrjetet sociale.

Dje, Meta gjithashtu u prit në selinë e Partisë Popullore Republikane (CHP), forcës kryesore opozitare të themeluar nga Ataturku, nga lideri i saj i ri, Ozgur Ozel.

Meta e uroi Ozel, “jo vetëm për zgjedhjen e tij në krye të kësaj partie historike, por edhe për fitoren mbresëlënëse të opozitës në zgjedhjet e fundit vendore”.

“Ndamë vlerësimin e përbashkët së marrëdhëniet e forta të miqësisë midis vendeve dhe popujve tanë kërkojnë një përkushtim të përbashkët e të pandalshëm bazuar mbi vlerat më të mira tradicionale, demokratike dhe europiane”, theksoi Meta.

Gjithashtu, Meta u prit dje në takim në selinë e Partisë “E Ardhmja” nga lideri i saj, prof. Ahmet Davutoğlu.

Meta e falënderoi Davutoğlu për kontributin e tij historik në mbështetje të Pavarësisë të Kosovës dhe njohjeve të saj si ish-ministër i Jashtëm dhe ish-kryeministër i Turqisë.

“Në këtë moment të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës vlerësuam se sa shumë i ka shërbyer pavarësia e Kosovës stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë.

Theksuam rëndësinë e forcimit të gjithanshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe rëndësinë jetike të reformave europianizuese”, theksoi Meta.

“Ramë dakord për forcimin e marrëdhënieve midis dy partive tona dhe rëndësinë e rritjes të kontributit të opozitave në të dy vendet për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si bazë jetike për mirëqenien e qytetarëve tanë”, nënvizoi më tej Meta.

EMISIONET