Mbështetësit, poshtë ballkonit të ish-kryeministrit, Berisha: Ndërkombëtarët mbështesin opozitën. Koha na fton të...

Mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha janë nbledhur sërish poshtë ballkonit në mbështetje të tij , i cili prej 30 dhjetorit 2023 gjendet i izoluar në arrest shtëpie.

Ish-kryeministri, Berisha shprehu Mirënjohje ndërkombëtarëve të cilët sipas tij mbështesin opozitën.

"Të dashur qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë të guximit, dinjitetit, shpresës se mbarë shqiptarëve.

Një pëshëndetje të përzemërt ju gardianëve të pamposhtur të demokracisë, europianëve të vërtetë të kombit shqiptar.

Miqtë e mi!

Shpeshherë ndodh që ne gjejmë shkakun e dobësisë së qëndrimeve tona tek ndërkombëtarët. Është ballkanike, jo vetëm shqiptare largimi i përgjegjësive nga vetja apo adresimi i tyre tek të tjerët.

Madje edhe këto kohë, janë jo të paktë ata të cilët fajësojnë ndërkombëtarët se po mbështesin diktaturën e Edi Ramës dhe nuk i dalin në mbrojtje opozitës.

Madje në këtë kontekst herë, herë evokohen padrejtësitë e mëdha historike që fuqitë e mëdha u kanë bërë shqiptarëve 100 vite më parë.

Mendoj se kjo sot nuk është e drejtë, sepse në dekadat e fundit të shekullit të shkuar dhe fillimit të këtij shekulli, SHBA dhe partnerët e tjerë ndërkombëtar kanë luajtur një rol përcaktues në lirinë e shqiptarëve, dhe asnjëherë nuk duhet të harrojmë se PD u themelua dhe është e do mbetet, parti e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar, faktor ky që përbën gurin e themelit të identitetit tonë kombëtarë, të ekzistencës tonë si komb.

Asnjëherë nuk duhet të harrojmë se PD është lokomotivë e integrimit Europian dhe euroatlantik të Shqipërisë.

Në një kohë kur të tjerët lobonin kundër anëtarësimit të vendit në Këshillin e Europës, ne firmosnim në Strasburg anëtarësimin e saj në këtë institucion.

Në një kohë kur Rama u frynte bilbilave për muaj të tërë në parlament për të bllokuar firmosjen e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në firmosnim në Luksemburg këtë marrëveshje me BE-në.

Në një kohë kur Rama demonstronte në sheshet e Tiranës me portrete të Enver Hoxhës si protestë e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ne ngrinim në Bruksel në selinë e Aleancës flamurin krenar të Skënderbeut mes flamujve krenarë të vendeve të NATO.

Në një kohë kur ne mirrnim rekomandimin për liberalizimin e vizave, Edi Rama si antishqiptar dërgonte letra dhe delegacione me të cilat kërcënonte Europën se po u hoqën vizat mbi 800 mijë shqiptarë do të dynden drejt Brukselit.

Në një kohë kur ne në saj të suksesit të reformave, morëm rekomandimin e statusit kandidat nga BE-ja. Edi Rama si antishqiptar e bllokoi atë duke bllokuar votimin e tre ligjeve për të cilat ishte rënë plotësisht dakord.

Në një kohë pas zgjedhjeve votuam tre ligjet e bllokuara prej tij, shkonte në një udhëtim turpi në Britaninë e Madhe për ti kërkuar qeverisë së madhësisë së saj që të shtynte miratimin e hapjes së negociatave me 6 muaj vetëm e vetëm që kjo të mos dukej si meritë e qeverisë Berisha.

Unë nuk them se ndërkombëtarët nuk kanë bërë dhe nuk bëjnë gabime dhe se ata janë imun ndaj korrupsionit. Jo ju e dini se unë, ndoshta si pak shumë tjetër, kam qëndruar haptas ndaj këtyre problemeve.

Por e përsëris, se asnjëherë nuk duhet të harrojmë se në të vërtetë ndërkombëtarët me instrumentet e tyre i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve një ndihmë të jashtëzakonshme.

Pas përmbysjes së diktaturës komuniste me ndihmat e tyre humanitare për kombin tonë, të shndërruar në fantazmë nga diktature e egër e etërve të Edi Ramës.

Në këto 3 dekada, Komisioni Europian, institucionet financiare ndërkombëtare, vendet mike dhe partnere i kanë dëshmuar Shqipërisë, bujarinë, solidaritetin më të madh që kombi që ka njohur në histori. Dhe për këtë do të kenë gjithnjë mirënjohjen tonë të pakufishme.

Por theksoj gjithashtu se ndërkombëtarët kanë mbështetur këtë kohë opozitën.

Në raportin e fundit të OSBE-së për farsën elektorale, ata që dinë të lexojnë këtë raport, defakto zgjedhjet e 14 majit janë  përmbysur.

Ndërkombëtarët kanë mbështetur opozitën me deklaratat e KE-së për komisionet hetimore parlamentare. Ata kanë mbështetur reformën zgjedhore, duke kërkuar konsensus të të gjitha palëve dhe kanë përgënjeshtruar lajmin e rremë të Lulzim Bravës së ata kishin gjoja ndërmjetësuar aleancën Rama-Brava për reformën zgjedhor e me bashkëkryetarë Gjiknuri-Gjiknuri Bis.

Por miqtë e mi!

Koha na fton të bëhemi të arsyeshëm, koha fton shqiptarët të bëhen si ju, sepse ka dhe një të vërtetë tjetër, kemi 33 vite rrugë në pluralizëm. A mund të lejojmë ne që pas kaq shumë vitesh të presim ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për të garantuar pluralizmin dhe demokracinë në Shqipërisë.

Kush ua garanton demokracinë vendeve Europiane, a varen ato nga ndërhyrja e njëri tjetrit për të garantuar demokracinë.

Miku i mirë të ndihmon hapat e para. Por nëse ti ke nevojë për ndihmë edhe pasi mëson të ecësh nuk është faji i mikut, por faji yt.

Ndaj të dashur miq, ndërkombëtarët i kanë sytë nga ne, njerëzit e lirë në botë i kanë sytë nga ne.

Ata sot kanë për ju qëndrestarë dhe qëndrestare të rrugës së Shpresës, mirënjohje, admirim të pakufishëm. Ata nuk mund të vijnë të votojnë për ne, të na shpëtojnë nga grabitja e votës dhe bandat e patronazhistëve, blerja e saj masive, manipulimi i listave të votimit që bën Edi Rama.

Jo kjo është detyrë e jonë dhe vetëm e jona. Ndaj dhe ju mblidheni këtu çdo natë  në emër të votës së lirë për votën e lirë”, theksoi ish-kryeministri.

EMISIONET