Mandati i kryebashkiakut të Kuçovës sërish në KQZ, Maliqi: Koha e Hajdarëve po përfundon!
Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) e riktheu dje çështjen e mandatit të kryebashkiakut të Kuçovës Kreshnik Hajdari, sërish në duart e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Me një votim unanim 5 me 0, KAS shmangu marrjen e një vendimi përfundimtar, një veprim që u denoncua dje nga Lefter Maliqi, ish-kandidat për kryebashkiak të Kuçovës, si një manovër e pastër politike dhe blerje kohe për të mbrojtur interesat korruptive.
Lidhur me këtë çështje, Maliqi ka reaguar sërish këtë të martë përmes rrjeteve sociale, ku thekson se koha e Hajdarëve po përfundon!
REAGIMI I LEFTER MALIQIT
Koha e Hajdarëve po përfundon!
Cirk me institucionet, zvarritje e drejtësisë së kapur! KQZ-KAS-Kolegj Zgjedhor, SPAK, Gjykata e Posaçme kundër krimit dhe korrupsionit, Gjykata e Beratit, Gjykata Administrative Tiranë, Gjykata e Lartë, KQZ-KAS! Betejë që do të fitohet.
Rast epik zvarritjeje, me mbrojtje oligarkike, klienteliste, korruptive dhe politike ndaj të dënuarit, të paaftit dhe abuzuesit Hajdari në Bashkinë e grabitur të Kuçovës.
Mbi 3 vjet padi, ankime dhe kallëzime në KQZ, KAS dhe Kolegjin Zgjedhor, të rikthyera disa herë për krim elektoral, manipulim, pavlefshmëri, shkelje të ligjit të dekriminalizimit, tendera korruptivë dhe abuzime të rënda me detyrën, dhe rikthehemi sërish.
SPAK e dënon Hajdarin me vendim të formës së prerë me 9 muaj burg, të konvertuara në 150 orë punë, dhe ka 11 kallëzime për 4 çështje në hetim.
Gjykata Administrative e Tiranës dhe Gjykata e Lartë urdhërojnë KQZ-në të marrë vendim përfundimtar, por zvarritja vazhdon ende. Gjykata e Beratit më jep të drejtë për akuzat ndaj Hajdarit, po kështu edhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij.
Të dashur miq, imagjinoni çfarë cirku, çfarë zvarritjeje dhe çfarë mbrojtjeje i bëhet krimit elektoral, korrupsionit dhe abuzuesve, dhe çfarë institucionesh e drejtësie të kapur kemi.
Ju siguroj se nuk tërhiqem nga beteja për drejtësi derisa ligji dhe Zoti të na japin të drejtë, Hajdari të marrë ndëshkimin e merituar dhe Bashkia e Kuçovës, e grabitur dhe e lënë si në mesjetë, t’u kthehet qytetarëve me ligj dhe me votë.
Kuçova do të kthehet në kantier ndërtimi, shembull në vend.


