“Libri i Zi i Rilindjes”, Berisha: Po përjetojmë një diktaturë që Evropa s'e ka njohur më parë! "Brain Gain", rol të rëndësishëm në projektin e Shqipërisë Madhështore
Në vazhdën e denoncimeve ndaj qeverisjes aktuale, Partia Demokratike prezantoi librin “Libri i Zi i Rilindjes”, një botim që synon të zbardhë të vërtetat e errëta të regjimit të Rilindjes. Ky libër, i hartuar nga ekspertë dhe intelektualë të njohur, përmbledh një analizë të detajuar mbi 12 vitet e fundit të qeverisjes dhe pasojat e saj për Shqipërinë.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit, kryetari i PD-së, Sali Berisha, e cilësoi këtë botim si një “autopsi” të regjimit aktual, duke e krahasuar atë me format më të errëta të diktaturave në histori. Ai theksoi se Shqipëria po përballet me një formë unike diktature, të panjohur më parë në Europë, ku krimi, droga dhe korrupsioni janë bërë pjesë e sistemit shtetëror.
Berisha e lidhi këtë situatë me trashëgiminë e regjimit komunist, duke akuzuar kryeministrin për vazhdimësinë e një politike shtypëse dhe antidemokratike. Sipas tij, ky libër është një dëshmi e rëndësishme për qytetarët shqiptarë dhe për komunitetin ndërkombëtar mbi realitetin e qeverisjes në vend.
FJALA E BERISHËS:
Mirëdita dhe përshëndetje të përzemërta. Së pari një mirënjohje të pakufishme anëtarit dhe drejtuesit të Departamentit Brain Gain, departament i një shprese të madhe për PD-në dhe shqiptarët.
Departament i përbërë nga burra, gra, djem dhe vajza, nga të rinj atdhetarë, të përkushtuar, të cilët kudo që janë kanë frymëzim dashurinë e tyre për vendin, dëshirën e tyre që dihet që kanë përfituar eksperiencat, t’i vënë në shërbim të vendit të tyre. T’i vënë në shërbim të PD-së. Fillimi i punës së këtij departamenti ishte një projekt midis realizimit dhe jorealizimit.
Por është në meritën e madhe të Andi Mustafajt, drejtuesit të tij dhe të gjithë anëtarëve të këtij departamenti që e shndërruan atë me përkushtimin, ekspertizën në një departament të vërtetë Brain Gain, për PD-në dhe shoqërinë shqiptare.
Dhe unë, duke shprehur mirënjohje të pakufishme ndaj tyre, i garantoj se në udhëtimin e saj, PD beson dhe është e vendosur që ata të marrin rolin që meritojnë, rolin që shqiptarët presin nga të rinjtë dhe të rejat e shkolluar, bijtë dhe bijat e tyre të mirëshkolluar, që do vijnë dhe do punojnë për të ndihmuar në projektin më të mirë që shqiptarët kanë pasur ndonjëherë para tyre, projektin e Shqipërisë Madhështore.
Të dashur miq, puna e këtij departamenti është një punë në themelet e asaj Shqipërie që ne duam të ndërtojmë.
Dhe cilido që dëshiron të kuptojë programin e PD-së për Shqipërinë Madhështore, i sugjeroj të lexojë dy veprat themelore të këtij departamenti, ‘Punët e Mira të PD’ dhe ‘Librin e Zi’ të regjimit të sotëm.
Duke lexuar këto dy vepra, programi për Shqipërinë Madhështore, që kjo madhështore të duket distancë, të duket e ekzagjeruar, të duket edhe ndonjëherë edhe më shumë se e ekzagjeruar, të bëhet real, të bëhet plotësisht i kapshëm, të bëhet frymëzues për çdo demokrat dhe qytetar.
Sot ne jemi këtu për librin e tyre ‘Punët e zeza’. Kanë zgjedhur një titull shumë të merituar. Kanë zgjedhur ndoshta të vetmin titull që meritonte ky subjekt, kjo tematikë, kjo çështje. Diktaturat meritojnë vetëm libra të zi.
Ne këtu në Shqipëri kemi rënë në një fatkeqësi të dyfishtë. Së pari, në një diktaturë. Së dyti, në një diktaturë, të cilën Europa kurrë nuk e ka pasur. Kontinenti ynë ka njohur të gjithë format e diktaturave. Ka njohur diktatura teokratike në mesjetën e tij dhe më vonë. Ka njohur diktaturat naziste, komuniste, ka njohur edhe juntat ushtarake.
Por nuk ka njohur diktaturat e bandave, e drogës, e krimit. Kur 20 vite më parë lexoja Samuel Hantigtonin, një libër të tij për diktaturat, gjej aty se ai shkruante se forma më e zezë e diktaturës, më e zezë se sa diktatura naziste, komuniste apo juntat, është diktatura e bandave, diktatura e drogës. Dhe ai jepte argumentet e veta.
Nuk e mendoja kurrë që do vinte një ditë që do përballemi në Shqipëri me një diktaturë të tillë. Vështirësia jonë është e madhe sepse ky lloj regjimi nuk është njohur në Europë. Në Europë të flasësh për diktaturë komuniste, naziste, por edhe teokratike, ka një memorie. Por Europa nuk ka asgj të regjistruar për diktaturat e bandave, e drogës.
Diktatori i Tiranës, i cili nuk duhet të harrojmë kurrë ta themi, është pasardhës direkt i një xhelati të diktaturës komuniste, që firmosi, krahas firmës së Ramiz Alisë, për të varur në litar një poet mendjendritur, një poet të jashtëzakonshëm siç ishte Havzi Nela.
Kristaq Rama ishte skulptor, ishte i shkolluar, ishte intelektual. Por ishte skulptor kriminel, intelektual kriminel, ndaj edhe firmoste. Kishte intolerancë të plotë ndaj fjalës së lirë, ndaj kundërshtimit, njëlloj si Edi Rama të njëjtën intolerancë ndaj opozitës, ndaj TikTokut.
Pra, ne kemi një diktator i cili jashtë Shqipërie paraqitet herë si hokatar, me atlete të bardha, paraqet zhgarravina, flet për sport. Kurse brenda ai nuk respekton asnë ligj, as Kushtetutë. Ai njëlloj si Zaedi i Tunizisë arreston tre liderët e partive kryesore opozitare. Merr mandate me gjykata. Përdor prokurorinë politike si armë në duart e tij.
Pra, këto janë vështirësi të mëdha tonat, por prapë këta djem dhe vajza dhe ne së bashku kemi zgjedhur të luftojmë, kemi zgjedhur të qëndrojmë seps këto janë të vërtetat më të hidhura për shqiptarët, por janë të vërteta të hidhura edhe për Europën. Kështu që i parë në këtë kontekst, ky libër merr vlera të jashtëzakonshme.
Ky libër i hartuar nga intelektualë të shquar që jetojnë në vende të lira, ka një avantazh shumë të madh në analizën e tij, në fjalorin e tij, në paraqitjen e tij. Vërtet mund të thotë dikush se është propagandë. Është gjithçka e bazuar në të vërteta.
Në të vërtetë është autopsia e këtij regjimi 12-vjeçar që shkatërroi materien tonë kombëtare më shumë se çdo luftë, më shumë se çdo pushtues, më shumë se çdo diktaturë e mëparshme.