Kuvendi miraton “Paketën e Maleve”, inkurajohen investimet në turizmin malor

Kuvendi miraton “Paketën e Maleve”, inkurajohen investimet

Kuvendi miratoi sot me 73 vota pro, 1 abstenim dhe 1 votë kundër projektligjin “Për Paketën e Maleve”, i cili parashikon lehtësi procedurash për pronësinë dhe ndërtimin, sikurse edhe politika fiskale stimuluese për investimet në zonat malore.

Më herët në seancë plenare ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja vlerësoi se projektligji do të sjellë një qasje alternative për nxitjen e ekonomisë dhe turizmit malor.

Po ashtu sipas tij, paketa e mbështetjes që sigurohet përmes këtij projektligji pritet t’i japë një hov investimeve vitet e fundit në të gjithë zonat urbane dhe vijën bregdetare, duke rritur punësimin dhe të ardhurat.

Në seancën e sotme plenare, Kuvendi miratoi me 74 vota pro dhe 1 votë kundër edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabit, për financimin e projektit “Sistemi i kamerave nën administrimin e Policisë së Shtetit – Smart City”.

Ligji i miratuar sot në Kuvend parashikon akordimin e një huaje, në shumën 118 500 000 USD, për financimin e këtij projekti, përmes së cilit synohet të rritet niveli i sigurisë publike dhe performanca e punonjësve të policisë. Instalimi i sistemeve elektronike synon një monitorim dhe kontroll sa më të mirë të territorit, duke siguruar informacionin për parandalimin dhe zbardhjen e ngjarjeve.

Po ashtu Kuvendi ratifikoi edhe dy marrëveshje të rëndësishme me Bashkimin Europian.

Konkretisht në seancën e sotme u ratifikua me 73 vota pro marrëveshja e facilitetit me Bashkimin Evropian, të përfaqësuar nga Komisioni, për rregullimet specifike për zbatimin e mbështetjes së BE-së për Shqipërinë, në kuadër të facilitetit për reforma dhe rritje.

Miratimi i kësaj marrëveshjeje do të mundësojë financimin nëpërmjet akordimit të një shume totale në vlerën 922 085 888 euro, nga të cilat 29% do të akordohen si grante dhe 71% si hua.

Me 74 vota pro Kuvendi ratifikoi marrëveshjen e huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, si huamarrës, Bankës së Shqipërisë, si agjent i huamarrësit, dhe Bashkimit Evropian, të përfaqësuar nga Komisioni Evropian, si huadhënës, për “Lehtësinë e reformës dhe zgjerimit për Ballkanin Perëndimor”.

Projektligji mundëson financimin e programit nëpërmjet akordimit të një huaje në vlerën 657 458 743.67 euro, i shoqëruar nga një grant WBIF, në shumën 264 6271 44.33 euro.

Objektivi i përgjithshëm i këtij programi është çlirimi i potencialit ekonomik të vendit, përmes stimulimit të transformimit ekonomik dhe përmirësimit të klimës së biznesit për të hyrë gradualisht dhe i përgatitur në tregun e vetëm të BE-së, përmes forcimit të shtetit të së drejtës, me progres të vazhdueshëm në integrimin e përshpejtuar, konsolidimin e efikasitetin e reformave, dhe ecjes së qëndrueshme përpara në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kuvendi miratoi në seance plenare edhe një sërë nismash të tjera ligjore apo marrëveshjesh me institucione ndërkombëtare.

Konkretisht në seancën e sotme plenare u ratifikua me 72 vota pro marrëveshja me Bankën Evropiane të Investimeve, lidhur me hapjen e përfaqësisë së Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri.

Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë më 24 janar 2025 dhe synon forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BEI-t e përshpejtimin e realizimit të objektivave që ka Shqipëria për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

Me 73 vota pro Kuvendi miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”.

Po ashtu me 74 vota pro Kuvendi miratoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, ndërsa me 73 vota pro, 1 abstenim u miratua projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, në Republikën e Shqipërisë”.

Në përfundim, Kuvendi miratoi me 73 vota pro edhe zgjatjen e mandatit deri në 30 korrik të komisionit të posaçëm Antikorrupsion, si dhe zgjatjen deri në përfundim të legjislaturës së X-të të mandatit të komisionit kundër Dezinformimit.

EMISIONET