Berisha: Kohë e zezë për vendin, kombi ka humbur shpresën, "Rilindja" si revansh i diktaturës hoxhiste

Ish-kryeministri Sali Berisha nga Kuvendi i tij Kombëtar bëri një analizë të situatës politike në vend, ndërsa theksoi se në krye të qeverisë udhëheq një bandë.

Gjatë fjalës së tij para delegatëve dhe anëtarëve të PD-së, por edhe të ftuarve, Berisha tha se kjo është një kohë e zezë për vendin.

“Ardhja juaj sot në këtë Kuvend, është dëshmi e vazhdimit të lidhjeve mes dy forcave politike (për deputetin e Forca Italia), mes Forca Italia dhe PD-së, miqësi dhe bashkëpunim që nisi që në ditët e para të themelimit të kësaj partie nga i pavdekshmi Sivlio Berlusconi.

Të dashur delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD, jemi në mbyllje të vitit 2023. Fundi i vitit është gjithmonë kohë reflektimi, por sot ju ftojmë që të bëjmë një reflektim më të thellë, pasi kjo dekadë përbën një kohë të zezë për vendin.

Kombi humbi shpresën, humbën votën e lirë. Ky ishim dhe ku jemi? Sot Kombi ynë është një komb shpresë humbur, që lëngon pasi trupi i tij është i kapluar nga metastazat e krimit, pasi është ndër më të plaçkiturit në vendet e Europës. Pronat po rrëmbehen nga investitorët strategjikë.”, tha Berisha.

PJESË NGA FJALIMI I BERISHËS

Siç është tradita, në emër tuaj do të falënderoj nga zemra mikun e shquar të PD-së, timin dhe të Shqipërisë, të nderuarin deputet të Forza Italia, Alesandro Batilokio, kryetar i Komisionit të Sigurisë në Parlamentin Italian, zonjën Erika Mazeti, deputete e Forza Italia.

Ardhja juaj në këtë Kuvend është dëshmi e vazhdimit të lidhjeve mes dy forcave politike që kanë transformuar më shumë gadishullin e Apenineve dhe Ballkanit, miqësi që nis që në ditët e para të themelimit të Forza Italia nga i pavdekshmi Silvio Berluskoni dhe vazhdon sot dhe do vazhdojë gjithnjë.

Faleminderit për praninë tuaj.

...Jemi në mbyllje të vitit 2023, fundi i vitit është gjithmonë kohë reflektimi, por sot ju ftoj të bëjmë një reflektim pak më të thellë sepse ky fundviti shënon mbylljen e një dekade që qeverisemi nga rilindja, një dekade nga më të zezat në historinë e Shqipërisë. Një dekadë në të cilën humbëm votën e lirë, kombi humbi shpresën dhe një të tretën e gjhakut të tij.

Një dekadë gjatë të cilit, arritjet tona u shpërbënë, shteti ligjor u zëvendësua nga narkoshteti. Kjo mund të quhet ndryshe dekada e shkatërrimit.

Sot, kombi ynë është një komb shpresëhumbur, një komb që vajton të rinjtë që nuk gjejnë të ardhmen në këtë vend, një komb që rënkon sepse trupi i tij është kapluar nga metastazat e krimit, një komb që dergjet pasi është kombi më i plaçkitur ndër të gjitha kombet në Europë.

Pronat private nuk grabiten më nga komunistët, por nga të ashtuquajturit investitorët strategjikë.

Shqiptarët vijojnë të persekutohen jo më nga policia sekrete hoxhiste, por nga bandat e qeverisë dhe patronazhistët, nga organizatat kriminale në institucionet e narkoshtetit.

Nuk kemi më gjykata popullore, por kemi SKAP-in dhe gjykatat e partisë, grupet e strukturuara kriminale, brenda të cilave përdoren për t’i dhënë grushte armiqve në opozitë.

Interesin kombëtar ia kemi shitur Serbisë dhe Tiranën e kemi shndërruar në një Beograd të dytë.

Popullsia është ulur me 35 përqind në 10 vite. Me braktisjen masive dhe me dominimin e vdekjeve mbi lindjet, për herë të parë kombi ynë është një komb në vdekje, një gjë që as në komunizëm nuk ndodhi.

Të gjitha këto dhe shumë të tjera, ashtu si në diktaturën staliniste, sërish ndodhin nën shëmbëllturën e një demoni që ka rrëmbyer të gjitha pushtetet dhe që kërkon të mbajë pushtetin me forcë mandat pas mandati dhe ky demon është Edi Rama.

Sot, ne jemi përsëri në kushtet e një diktature të re, por jo ideologjike me burgje e kampe, por jemi në mobokraci, në narkodiktaturë, në të cilën njëlloj si në diktaturën ideologjike, pushtetet ndodhen në dorën e një njeriu. Ky njeri e ushtron pushtetin jo me ligje, jo me Kushtetutë, por me banda, me krime, me mafien e drogës.

Ai kalon nga mandati në mandat sepse paratë e drogës, fuqia e krimit, shndërrohen në vota, kurse vota shndërrohet në krime, në grabitje të pasurive dhe fondeve publike, në vrasje, burgosje të kundërshtarëve, korrupsion transnacional për të shkatërruar opozitën.

Shndërrohen në frikë dhe tmerr dhe këto të fundit, njëlloj si në diktaturën ideologjike, shndërrohen në votë.

Në këtë dekadë, demokracia u shkatërrua, zgjedhjet e fundit ku shqiptarët kanë votuar të lirë, kanë qenë zgjedhjet e vitit 2013.

Në këtë zgjedhje u shkatërrua pluralizmi, logoja e partisë më të madhe opozitare, partisë që përmbysi diktaturën komuniste, është konfiskuar.

Të drejtat kushtetuese të opozitës mohohen dhe një plagë e vjetër u rihap sërish, u rikthyen burgosjet politike të opozitës.

Në këtë dekadë, parlamenti u shndërrua në një karikaturë, një parlament ku opozita në një grusht shteti brenda shtetit, humbet të drejtat e saj kushtetuese, ku në seancat e tij, garda bëhet badigardë e qeveritarëve dhe buxheti i shqiptarëve kalon në 4 minuta.

Në këtë dekadë, u rikthye monizmi. Sot, ai qeveris ka më shumë pushtet edhe se diktatori i fundit komunist shqiptar, Ramiz Alia.

Sot shqiptarët kanë më pak para se 10 vite më parë, ndërkohë që në një ekonomi tregu funksionale dhe jo droge dhe oligarkësh, qytetarët duhet të jenë më të pasur vit pas viti.

Kjo nuk ndodh se kjo ishte dekada e vjedhjeve të shekullit. Qindra milionë euro u vodhën nga Edi Rama dhe Erion Veliaj me inceneratorët.

Qindra milionë euro u vodhën nga Edi Rama dhe Ilir Beqaj me sterilizimin dhe koncesionet në shëndetësi.

Qindra milionë euro u vodhën nga Edi Rama dhe zyrtarët e tij me tendera sekretë.

Miliarda euro të tjera janë bërë gati të vidhen në Portin e Durrësit nga Edi Rama dhe Ali Babatë e tij me projekte të tjera.

Vjedhje dhe vetëm abuzime dhe vjedhje në dekadën e varfërimit të shqiptarëve.

Kombi ynë është një komb jetëgjatë. Me jetëgjatësinë e tyre, shqtiparët kanë kaluar shumë vështirësi, sulme nga armiq barbarë, diktatura nga më të egra. Për hir të së vërtetës, armiqtë e Shqipërisë kanë qenë të shumtë dhe të ndryshëm.

Por unë me shumë dhimbje u ftoj ju kurrë të mos harrojmë se ekziston një lloj armiku, soji i të cilit është më mizori në historinë e kombit tonë. Ky armiku më i lig është armiku shqipfolës.

Kemi pasur disa prej tyre, por 10 vitet e fundit në listën e armiqve shqipfolës është shtuar emri i Edi Ramës.

Ky armik i ri, në raport me qenien kombëtare, tejkalon çdo armik tjetër shqipfolës para tij.

Enver Hoxha, luftën e shqiptarëve për liri dhe dinjitet, e shndërroi në luftë civile për karrigen e tij dhe vendosi diktaturën më staliniste. U provua kasapi më i egër i shqiptarëve.

Kurse Edi Rama, pinjolli i xhelatit Kristaq Rama, që firmosi varjen në litar të poetit Havzi Nela, u grabiti shqiptarëve në 10 vitet e fundit, atë që për shekuj u kishte munguar, u grabiti pluralizmin e vërtetë, u grabiti demokracinë.

Edi Rama njëlloj si Enver Hoxha që tradhtoi dhe shiti Kosovën martire, është sot një Pashiq i dytë për shqiptarët.

Ne shembëm një diktaturë në vitet ’90 në një revolucion demorkatike, ne realizuam të paimagjinueshmen për shqiptarët, realizuam pluralizmin, më në fund Shqipëria kishte shumë parti. Kishte opozitë. Realizuam zgjedhje të lira, u anëtarësuam në Këshillin e Europës, liberalizuam vizat, u anëtarësuam në NATO, morëm rekomandimin e statutusit të vendit kandidat.

Të gjitha këto ishin fryte të një revolucioni të bazuar në ëndrrën që ta bëjmë Shqipërinë si të gjithë Europa.

Dhe vërtet shqiptarët fituan shumë ato vite, por mbi të gjitha, për të parën herë, arritën të jenë ndonëse në dy shtete të pavarura, një komb i lirë.

Rriteshim në popullsi, por edhe në të ardhura personale vit pas viti.

Por pas një periudhe fitoresh revolucionare, vjen gjithmonë një kundërpërgjigje e diktaturës së vjetër.

Dhe kjo kundërpërgjigje erdhi me emrin rilindje, në të vërtetë, vdekje e demokracisë. E bazuar siç u shpall që në fillim të herës si aleancë e qelbësirave të kombit me në krye një armik shqipfolës me emrin Edvin Kristaq Rama, i cili dëmet që i ka bërë Shqipërisë në 10 vite, renditet fare mirë, fill pas Enver Hoxhës në listën e armiqve shqipfolës më të egër të historisë tonë kombëtare.

Imagjinoni një komb që noton në krim dhe drogë, duke nisur që nga kryeministri dhe polici i thjeshtë, imagjinoni një komb ku bandat lëshohen nga burgu për të vjedhur zgjedhjet, imagjinoni një vend ku kodi zgjedhor shpallet një kinezeri dhe votat vdesin pa hyrë në kuti. Imagjinoni një komb ku partisë më të madhe i vidhet logoja, i caktohet kryetari dhe i mohohet përdorimi i emrit. Imagjinoni një komb ku pasuritë më të mëdha i dorëzohen qeveritarëve dhe bandave të krimit të organizuar. Imagjinoni një komb ku zhduken miliarda euro të qytetarëve. Ato euro janë djersa, janë lotët, janë gjaku, janë mundi juaj.

Imagjinoni një komb ku drejtësia nuk merr asnjë masë për këto krime, por burgos politikanë të opozitës pa asnjë provë, pa asnjë fakt, por vetëm e vetëm me urdhër politik.

Imagjinoni një komb që tokat e planifikuara për gjimnaze, grabiten nga kryeministri me pronarë mediesh si ortakë.

Imagjinoni një komb ku parlamenti u ndalon deputetët të zgjedhin kryetarin e grupit.

Imagjinoni një komb ku parlament nuk lejon komisione hetimore?

Kjo është Shqipëria e Edi Ramës, kjo është Shqipëria e sotme.

EMISIONET