Kushtetuesja njeh cenimin e votës në 25 prill, urdhër Kuvendit: Brenda një viti të garantohet vota e emigrantëve
Shoqata 'Diaspora për Shqipërinë e Lirë' ka ngritur padi në Gjykatën Kushtetuese për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, duke pretenduar për cenim të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve.
Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht padinë e Shoqatës 'Diaspora për Shqipërinë e Lirë' zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, duke konstatuar cënim të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve.
Kushtetuesja detyron Kuvendi për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Ndërkaq për urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë për karantinimin karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia ka vendosur pushimin e çështjes.
Njoftimi i plotë
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë shqyrtoi në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve kërkesën e Shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, me objekt: “ Konstatimi i cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 25.04.2021. Deklarimi i Urdhrit nr. 219, datë 19.04.2021 “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia” si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”
Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “a” dhe 134, pika 1, shkronja “h”, të Kushtetutës, si dhe neneve 49, pika 3, shkronja “d”, 51/a, pika 1, shkronja “b” dhe 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash ,
VENDOSI:
1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
2. Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve, në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor.
3. Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
4. Pushimin e gjykimit lidhur me Urdhrin nr. 219, datë 19.04.2021 të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.