Kush përfiton dhe kush përjashtohet/ Amnistia, Burgjet bëjnë listën gati për të dënuarit deri më 31 maj 2026

Ligji i shumëpritur i dhënies së “Amnistisë” për të dënuarit pritet të miratohet në Parlament më 18 qershor 2026 dhe, pas publikimit në Fletoren Zyrtare, më 30 qershor administrata e burgjeve pritet ta implementojë, duke sjellë lirimin e të dënuarve përfitues.

Bëhet fjalë për 467 të dënuar që pritet të lënë qelitë, pasi plotësojnë kriteret përfituese të amnistisë. Gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, amnistia pati disa ndryshime në disa pika, ku u përjashtuan nga përfitimi personat e dënuar për krime seksuale.

Si dhe, njëherësh, u ndryshua edhe afati i zbatimit të amnistisë, ku nga 31 dhjetor 2025, zbatimi i saj do të realizohet deri më 31 maj 2026.

Pra, çdo person që është dënuar me vendim gjykate deri në periudhën 31 maj 2026 përfiton amnistinë, për kategorinë e veprave penale që ka parashikuar ligji që pritet të miratohet në Parlament më 18 qershor.

Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, rreth 467 persona pritet të përfitojnë lirim të menjëhershëm nga burgu, ndërsa afro 900 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Nga përfituesit e lirimit të menjëhershëm, 4 janë të mitur, 5 gra dhe 7 shtetas të huaj.

Ndërsa mes përfituesve të uljes së dënimit janë 10 gra, 3 të mitur dhe 12 shtetas të huaj.

Projektligji parashikon që të përfitojnë meshkujt e dënuar deri në 3 vite burgim ose ata që kanë deri në 3 vite dënim të pavuajtur, gratë e dënuara deri në 4 vite burgim ose me deri në 4 vite të mbetura për të vuajtur, gratë mbi 50 vjeç, burrat mbi 60 vjeç, si dhe personat që kanë qenë nën moshën 18 vjeç në momentin e kryerjes së veprës penale.

Megjithatë, amnistia nuk do të zbatohet për të dënuarit për korrupsion, krim të organizuar, terrorizëm, vrasje, krime seksuale, trafikim, krime zgjedhore dhe një sërë veprash të tjera me rrezikshmëri të lartë.

Gjithashtu, nuk përfitojnë personat e dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe ata që i janë shmangur drejtësisë.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, amnistia synon të përmirësojë kushtet në sistemin penitenciar dhe të ulë ngarkesën në burgje. Aktualisht, në institucionet e vuajtjes së dënimit ndodhen 4.982 persona, ndërsa lirimi i menjëhershëm i 467 të dënuarve do ta ulte ndjeshëm nivelin e zënies së kapaciteteve në sistem.

Projektligji parashikon gjithashtu pushimin e ndjekjes penale për një kategori veprash të lehta, të kryera deri më 31 maj 2026, për të cilat Kodi Penal parashikon dënim maksimal deri në 3 vite burgim, me përjashtim të veprave të listuara si ndaluese në ligj.

EMISIONET