Kush ia prishi gjumin sot Erion Veliajt që e theu heshtjen e kërkuar nga “kolegët” e tij të SPAK-ut?

Kush ia prishi gjumin sot Erion Veliajt që e theu heshtjen e kërkuar

Të premten “e zezë” të 7 dhjetorit, agjentët e BKH-së dhe prokurorë të SPAK-ut shkuan dhe ushtruan kontroll në shtëpinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i sekuestroi telefonin e Ajola Xoxës, bashkëshortes së tij, ushtroi kontroll edhe në shtëpinë e Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut, si dhe kontrolloi aktivitete të zonjës Xoxa.

Dhe kur kanë kaluar tri ditë nga kjo ngjarje që shkaktoi emocione të ndryshme në opinionin publik dhe për të cilën vetë SPAK-u nuk dha detaje nga rezultati i këtyre kontrolleve, sot në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Erion Veliaj u zgjua trembshëm dhe me humor të prishur dhe sulmoi “kolegët” e BKH-së dhe SPAK-ut.

Pa hapur ende mirë sytë Veliaj tha se agjentët nuk kanë pasur vendim gjykate për të kontrolluar banesën, deklaratë kjo të cilën as ai vetë nuk e beson.

Kjo pasi nëse Veliaj është trembur disi nga gjumi i natës, agjentët e BKH-së dhe SPAK-ut “nuk janë çmendur” të bastisin banesat dhe zyrat e njeriut më të pushtetshëm të Tiranës pa marrë miratimin e Gjykatës, pasi është ngritur një tymnajë sikur po hetohet bashkëshortja e tij Ajola Xoxa apo vëllai i Erion Veliajt, kur në fakt është pasuria e këtij të fundit që është vënë në hetim.

E ndërsa për këtë që po i ndodh atij dhe familjarëve të tij, fajin e ka kryetari i PD-së, Sali Berisha, Veliaj thotë se bashkëshortja Ajola pasi ka folur me të në telefon kanë vendosur të lejojnë hetuesit të bëjnë veprimet, të cilat në fakt nuk kishin të mbaruar, pasi kontrolli i nisur që në mëngjes përfundoi në mbrëmje te “Harabeli”.

E ndërsa konfirmon gatishmërinë e tij për të ndihmuar drejtësinë të bëjë punën e saj “siç ata e mendojnë”, siç tha Veliaj sot, kryebashkiaku nuk sqaron momentin e rezistencës ndaj agjentëve të BKH-së dhe SPAK-ut.

Konkretisht, burime bëjnë me dije se të premten Ajola Xoxa e kundërshtoi vendimin për marrjen e aparatit celular, rezistencë e kotë kjo pasi, celulari iu mor bashkë me qindra mijëra eurot që iu gjetën në zyrë.

E teksa jemi tek paratë, Veliaj sot tha se nuk ka fshehur asnjë qindarkë dhe është qelibar para drejtësisë. Por ai, edhe për hir të transparencës, nuk na tha sa lekë iu gjetën të shoqes në zyrë dhe pse ato lekë ishin aty.

Dhe ky duket se është momenti që e lë pa gjumë prej tre ditësh kryebashkiakun, pasi as Ajola Xoxa, as Arbër Veliaj nuk janë kompetencë e SPAK-ut, ata po hetohen për shkak të lidhjeve me kryebashkiakun, ndaj të cilit prej muajsh është regjistruar hetimi pasuror.

Po çfarë ka në thelb ky hetim?

Hetimi pasuror ndaj Erion Veliajt ka filluar pas dyshimeve të arsyeshme se kryebashkiaku i Tiranës ka shpërdoruar detyrën. Mund të ketë fshehur pasurinë, dyshohet për korrupsion.

Pas këtyre dyshimeve që vijnë nga disa hetime paralele siç janë dosja “5D” e drejtorëve hajdutë të Bashkisë së Tiranës, dosja e inceneratorëve ku janë paguar 130 milionë euro për një incenerator që nuk ekziston, dosja e shembjeve te “5 Maji”, shembja e Teatrit Kombëtar.

Të gjitha këto dhe hetime të tjera që po kryhen nga SPAK-u kanë çuar prokurorët që të regjistrojnë një hetim pasuror për kryebashkiakun e Tiranës, pasi dyshohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre dhe fshehje e mosdeklarim i pasurisë. Prokurorët kanë mbledhur fakte, dokumente, prova.

Burime jozyrtare theksojnë se në zyrën e Ajola Xoxës janë gjetur dhjetëra mijëra euro, transaksione bankare nga kompani të ndryshme ndërtimi dhe biznese, të cilat kanë financuar vëllanë e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe nga ana tjetër kanë marrë tenderë apo përfitime në Bashkinë e Tiranës.

Këto dhe shumë të tjera SPAK-u po i heton për të shkuar në fund te ngritja e një akuze dhe çuarja para drejtësisë, apo te pushimi i çështjes.

Deri tani faktet dhe provat tregojnë se Erion Veliaj është në halle të mëdha dhe duket se reagimi i sotëm është thjesht një përpëlitje, sepse vetëm ai e di se çfarë ka bërë dhe çfarë pritet t’i ndodhë.

EMISIONET