Kremtohet 104-vjetori i Tiranës Kryeqytet, Begaj: Në Tiranë gjendet e gdhendur një pjesë e historisë së popullit tonë
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, hapi sot dyert e institucionit për kremtimin e 104-vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet.
Në këtë aktivitet morën pjesë si të ftuar nderi personalitete të mjekësisë, drejtësisë, kulturës, arsimit, medias, si dhe përfaqësues të familjeve autoktone të Tiranës.
Presidenti vlerësoi kontributin e tyre për Tiranën si kryeqendër të Shqipërisë, si dhe zemërgjërësinë e bujarinë që kanë treguar ndaj të ardhurve ndër vite nga trojet e tjera shqiptare.
“Në Tiranë gjendet e gdhendur një pjesë e historisë së popullit tonë.
Kryeqyteti i transformuar ndër vite nga një nyje që lidhte rrugët kryesore të trevave tona, në qendrën kryesore politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të shqiptarisë, është një histori suksesi”, – u shpreh Presidenti Begaj në fjalën përshëndetëse.
“Historia e qytetit është pa dyshim historia e mrekullueshme e banorëve të Tiranës.
Secila gjeneratë la gjurmët e saj në histori, arkitekturë, urbanistikë dhe, mbi të gjitha, në frymën e saj patriotike, atdhetare dhe pro perëndimore.
Tirana dhe qytetarët e saj i kanë paraprirë progresit, duke e kthyer atë në kryeqendrën e shqiptarëve kudo ata ndodhen“, – dekaroi Presidenti në fjalën përshëndetëse.
Përgjatë këtij aktiviteti qytetarët patën mundësi të rikujtojnë të shkruarën dhe të prekin të tashmen e Tiranës, të treguar përmes dokumenteve autentikë, fotografive, pikturave dhe botimeve të autorëve të Tiranës.
Pjesë e kremtimit të 104-vjetorit të Tiranës Kryeqytet ishin artistë të njohur të Tiranës , të cilët, përmes interpretimeve të tyre, sollën kryeqytetin në tinguj e vargje.
Artizanët e Tiranës, që promovojnë traditën e të parëve të tyre, ekspozuan punime të ruajtura prej shekujsh.
Tirana e së shkuarës dhe e së tashmes u shfaq në Presidencë edhe përmes pikturave të artistëve që i përkasin brezave të ndryshëm që nga themelimi i kryeqytetit.