"Kishte në kujdestari fëmijën dhe bashkëpunoi me drejtësinë"/ Lala: Ja pse GJKKO ndryshoi masën e sigurisë për Ajola Xoxën!
Gazetarja Klodiana Lala, ka treguar detaje se përse GjKKO vendosi të ndryshojë masën nga "arrest në shtëpi" në "detyrim paraqitje" për bashkëshorten e kryebashkiakut Erion Veliaj, Ajola Xoxa e cila akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Lala ka deklaruar se GJKKO vendosi të ndryshojë masën ndaj Xoxës pasi kjo e fundit ka parashtruar faktet se kishte në kujdestari një fëmijë. Lala gjithashtu bëri me dije se Xoxa është kthyer vetë në Shqipëri, duke bashkëpunuar me drejtësinë.
“Kur gjyqtari ka firmosur masën e sigurisë sipas sistemit TIMS Xoxa nuk rezultonte në Shqipëri. Masa u vendos që gjykata të kishte mundësi të manovronte sepse mund të kishte akuza në drejtim të SPAK dhe GJKKO se e lejuan të largohej, në momentin që zonja Xoxa ka parashtruar fakte se kishte në kujdestari fëmijë, gjykata ka ndryshuar masën e sigurisë, por i ka hequr të drejtën për të udhëtuar jashtë vendit. Xoxa është kthyer vetë në Tiranë, ka marrë menjëherë avionin, nuk ka pasur asnjë shmangie të saj”, tha Lala.