Ish-ministri: Pas protestës janë strukturat e Veliajt

Ish-ministri: Pas protestës janë strukturat e Veliajt

Ish-ministri dhe avokati Ylli Manjani ka reaguar në lidhje me protestat që po mbahen së fundi para Kryeministrisë, kundër qeverisë, si dhe për sharjet që ka marrë në rrjetet sociale, pasi është shprehur se protestat janë politike.

Manjani ka sqaruar se sharjet nuk kanë qenë për protestuesit, por për sharësit që, sipas tij, e kanë bërë të udhës që çdo njeriu që shpreh mendimin e tij i përgjigjen me sharje.

“Për shkak të këtij konstatimi që bëra në rrjetet sociale mora personalisht një lumë sharjesh. Vetëm sepse thashë me zë të lartë se protesta është politike, sepse është politike. Nuk është turp të jetë politike. Për këtë arsye mora sharje me libër shtëpie dhe kundër këtyre sharësve, jo protestuesve, unë nuk kam sharë protestuesit, u jam përgjigjur personalisht, shqiptarisht, burrnisht sy për sy sharësve të cilët e kanë bërë huq këtë punë që çdokujt që ka një mendim dhe e thotë publikisht i përgjigjen me sharje. Unë dhe familja ime nuk e meritojmë këtë gjë.

Protestuesit nëse kanë ndonjë problem me robtë e shtëpisë së Edi Ramës le të vazhdojnë me Ed Ramën, po unë nuk u kam ndonjë borxh, nuk jam kryeministri, nuk jam në politikë”, tha Manjani.
Më tej, gjatë një interviste, Manjani ka theksuar se pas reagimit, struktura e Veliajt, organizatorët që i ka krijuar vetë ai, kanë shkëputur thëniet e tij nga konteksti dhe i kanë përdorur për të nxitur urrejtje te turma.

“Pas këtij reagimi organizatorët e njohur, janë të njohur në Tiranë, i ka krijuar Erion Veliaj, është struktura e Erion Veliajt. Nuk e di nëse është Veliaj pas kësaj gjëje, nuk kam prova ta them këtë gjë, po është ajo strukturë e cila shkëput nga konteksti thënie të miat publike për të nxitur urrejtje te turma. Këtë e konsideroj krim. E përsëris edhe njëherë, nëse këtyre emocioneve të protestuesve u shërbejnë robtë e shtëpisë sime për të zgjidhur hallet e tyre le të vazhdojnë, mua aq më bën, por nuk është e ndershme, nuk është e drejtë, nuk është e rregullt”, u shpreh Manjani./ CNA

EMISIONET