Hoxha: Më shumë mbështetje nga qeveria për kërkimin shkencor dhe arsimin e lartë

Hoxha: Më shumë mbështetje nga qeveria për kërkimin

Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof.Dr. Artan Hoxha kërkoi sot në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik më shumë mbështetje nga qeveria për financimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Në seancën dëgjimore për diskutimin në parim të projektligjit “Për Buxhetin e Vitit 2025” me Universitetet publike të Tiranës, rektori Hoxha tha se “fondi për kërkimin shkencor është rritur 0.6% në vitet 2024-2025 nga 0.4%, që ka qenë më parë që është tregues i mirë. Por në vlerë fizike është pak më i ulët se viti që shkoi, pra nuk është se kemi objektiv të shtuar nga pikëpamja e mbështetjes financiare kur kemi disa ngjarje; një ngjarje është ligji i ri për Shkencën dhe një ngjarje tjetër është hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian,  ku kërkimi shkencor është element bazik dhe arsimi i lartë në tërësi në këtë proces të integrimit”.

“Kemi bërë përparime kam dhënë një shifër për Universitetin e Tiranës(UT) që nëse në 2020 kishte 45 pedagogë të përfshirë në kërkim në projekte në 2023, është 400 e ca pedagogë, pra dhjetëfishi. Nëse në 2020 ishin 160 mijë euro të fituara nga UT nga projektet e BE-së sot ne flasim për 3, 4, 5 milionë euro vetëm si UT, 8 mijë paguan qeveria ndaj BE-së. Vetëm UT merr më shumë se gjysmën që paguan qeveria shqiptare”, tha Hoxha.

Më tej, Hoxha u shpreh se “kërkimi shkencor duhet të ketë më shumë volum mbështetje nga qeveria se këtu aktorë nuk janë vetëm institucionet publike të arsimit të lartë por edhe ato jopublike të arsimit të lartë dhe do shtohen etnitete të tjera, të cilat do të kërkojnë fonde buxhetore, por që ne shpresojmë shumë që nuk janë këto për efekte të zbatimit të atij ligji që është një ligj i ri që këtu mund të thuhet se derisa nuk ka hyrë akoma në fuqi ne s’kemi si planifikojmë  një ligj që s’ka hyrë në fuqi”.

Sa i përket grantit të mësimdhënies, Hoxha tha se “mbetet aty ka qenë në 2024. Kemi parasysh strategjinë e zhvillimit të arsimit të lartë, e cila ka dy tre pika që duhen mbështetur me financim, është strategjia e qeverisë miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Krijimi i fondit për bashkëfinancimin e projekteve ndërkombëtare të bashkëpunimit akademik, përfshirë Institucionet e Arsimit të Lartë(IAL) për programore studimore të përbashkëta me IAL shqiptare dhe IAL europiane. Qeveria do të vërë në dispozicion një fond prej 10 milionë euro në vit për të stimuluar IAL publik vendase për hapjen dhe formimin e programeve të përbashkëta studimi me IAL të BE-së dhe do të mbështetet pa rezerva çdo sinergji e plotë mes IAL vendase dhe universiteteve të huaja publike”.

EMISIONET