"Hapet 'Kutia e Pandorës', aktivizimi i fortë i SPAK-ut do të sjellë debate, do të trazojë ujërat" Gjiknuri i frikësuar?

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve ku po raporton kryeprokurori Altin Dumani, e mori fjalën edhe anëtari socialist i këtij komisioni, Damian Gjiknuri, i cili ngriti një sërë pyetjesh për Dumanin në lidhje me punën e tij dhe të institucionit që ai drejton prej disa kohësh.

Sipas Gjiknurit, aktivizimi i fortë i SPAK-ut do të sjellë debate, do të trazojë ujërat, por nga ana tjetër, ai nuk ngurroi të vlerësonte punën e kryer vitet e fundit nga ky institucion, duke qenë gjithmonë e më shumë aktiv.

Ndërkohë, ai vuri në dukje edhe ato që tha Dumani në fjalën e tij, çështje që sipas Gjiknurit, të bëjnë të mendosh dhe të reflektosh, që hapin “Kutinë e Pandorës” për një debat më të gjerë.

“Aktivizimi i fortë i SPAK-ut do të sjellë debate, do të trazojë ujërat. Duhet të theksojmë që SPAK këto vitet e fundit ka qenë gjithmonë e më shumë aktiv, por nga ana tjetër, në fjalën tuaj ju ngritët disa çështje që të bëjnë të mendosh dhe të reflektosh, që hapin “Kutinë e Pandorës” për një debat më të gjerë.

Për të realizuar këto duhet të prekësh disa komponentë, pra jetëgjatësia e SPAK, kompetencat e SPAK. Ne nuk kemi pse ta ngarkojmë SPAK-un me çdo vepër të natyrës korruptive. E kam fjalën tek ajo që ju prekët, që do të sjellë atë që unë thashë hapjen e “Kutisë së Pandorës”, kjo do të sjellë nevojën për ndryshim dhe reformë, por si e mendoni ju z. Dumani, si të arrihet të kryhet kjo kur ka një mungesë besimi mes palëve politike për një reformë të rëndësishme dhe si e shikoni ju rolin e SPAK-ut këtu?

Kush do të jetë mënyra dhe roli juaj aktiv i SPAK që do të plotësojë nevojat e atyre që ju përmendët në fjalën tuaj? Kjo ishte e para pyetje që kisha. Së dyti, u përmend roli i BKH. Më duket mua, apo jam gabim, BKH ka qenë pak në hije, kjo për shkak edhe të mungesës së trupës, dhe doja ta dija sa çështje kanë ardhur si referim i BKH-së.

Së treti, vihet re shpesh në media që shumë materiale hetimore dalin fatkeqësisht në media, që shfrytëzohen nga grupet kriminale dhe nganjëherë dalin materiale bruto hetimore, që normalisht publiku nuk ka si ti dijë. Çfarë masash keni marrë në lidhje me këtë çështje?

Dhe pyetja e fundit, në raportin tuaj përmendët diçka për krimin e organizuar dhe krimin trans nacional, a mos po shkojmë apo roli i Shqipërisë është më shumë një vend “safe-heaven” për kokat e grupeve apo një vend ku parkohen paratë e këtyre grupeve dhe nëse sjell depërtimin në ekonomi. A është e përgatitur SPAK dhe strukturat e tij, përfshirë dhe BKH për këto lloj hetimesh? Por, doja t’ju përgëzoja për punën tuaj.”, u shpreh Damian Gjiknuri në fjalën e tij në Komisionin e Ligjeve.

EMISIONET