“Gjithçka justifikon rrëzimi i një diktature”, Berisha udhëzon krerët e degëve nisjen e planit për “mosbindje civile”

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi pasditen e kësaj të mërkure se beteja e opozitës në Kuvend ka të bëjë si asnjëherë tjetër në 32 vite, me sovranitetin e popullit shqiptar.

“Shpreh kënaqësinë që takohemi sonte në prag të Kuvendit Kombëtar të PD, i cili ka dhe do ketë çështje themelore, veprimin, ose Opozita në Aksion, PD në Aksion!

Në ekzistencën e saj, gjatë 32-viteve, demokracia shqiptare, të drejtat e shqiptarëve, nuk kanë qenë kurrë siç janë sot, të shkelmuara nga një person që ka vendosur në Shqipëri pushtetin e tij të plotë personal. Që kontrollon sot të gjitha pushtetet, i kontrollon në mënyrën më të rreptë.

Që pas zgjedhjeve të majit, kaloi në një përpjekje të re të asgjësimit de facto të opozitës në parlament. Duke u mohuar deputetëve të opozitës, të drejtat më themelore të atyre që ata përfaqësojnë. Asnjë nga nenet kushtetuese që lidhen me deputetin në parlament, nuk kanë të bëjnë me personin. Janë të gjitha nene që garantojnë parlamentin për funksionin e tij si tempull qendror i demokracisë.

Ju jeni dëshmitarë se prej mëse një muaji, në parlament zhvillohet një betejë, të cilën nuk e ka njohur ndonjëherë parlamenti.

Zhvillohet një betejë që ka të bëjë me jetën ose vdekjen e pluralizmit parlamentar. Pra, një betejë që ka të bëjë si asnjëherë tjetër në 32 vite, me sovranitetin e popullit shqiptar.

Ju duhet ta dini, në doktrinën politike, sovraniteti ka dy anë. Ka anën e brendshme dhe anën e jashtme, marrëdhëniet me jashtë. Sovraniteti në marrëdhëniet me jashtë është fuqia e një vendi për të marrë vendime të pavarura në interes të tij, të pandikuara dhe për të mbrojtur interesin e tij.

Kurse sovraniteti i brendshëm është një dhe vetëm një, fuqia e qytetarëve për të kontrolluar qeverinë e tyre. Është fuqia që Kushtetuta e vendit, u jep qytetarëve për të kontrolluar qeverinë e vet.

Ky kontroll, sipas Kushtetutës, ushtrohet para së gjithash nëpërmjet komisioneve parlamentare.

Pra, ajo e cila duket një çështje ndoshta jo dhe aq e rëndësishme, ajo në fakt është një çështje më themelore e sovranitetit të brendshëm të një vendi.

Nëse qytetarët, nuk lejohen, nuk mundet të ushtrojnë kontroll mbi qeverinë dhe qeveritarët e tyre, sovraniteti i tërë- edhe ai i brendshmi- ka kaluar në duart e një njeriu. Në një kohë kur ai i takon popullit.

Ky është një zerim i fuqisë së një populli në një vend, për të kontrolluar qeverinë e tij.

Ne aty, kemi qëndruar dhe do qëndrojmë. Ne nuk largohemi nga parlamenti, kjo të jetë e padiskutueshme”, theksoi Berisha.

Në vijim, Berisha theksoi se Kuvendi Kombëtar mblidhet për të përcaktuar qëndrimet e PD-së në këtë betejë jetike për shpëtimin e vendit.

“Kjo qëndresë që bëjnë 43 deputetë, në emër të qytetarëve që përfaqësojnë, kjo qëndresë, me të njëjtën forcë, me të njëjtin qëllim, bllokimin e një pushteti të paligjshëm, bllokimin e një pushteti të paligjshëm në çdo skaj të Shqipërisë, në çdo hallkë të tij, është detyra jonë më imediate.

Ua them ju këtu dhe ua them të gjithë demokratëve, të gjithë shqiptarëve, pas Enver Hoxhës nuk kemi pasur kurrë një armik kaq të egër të pluralizmit politik, të sovranitetit të brendshëm të vendit.

Një armik që pasi ka marrë, siç e dini ju, të gjitha pushtetet, tani shtriu dorën e tij në zemër të marrë edhe pushtetin e fundit që nuk kishte marrë, pushtetin e opozitës. Apo që e kishte de facto, por i doli jashtë kontrollit, pushtetin e opozitës.

Ato për çka luftojmë ne në parlament, janë një grusht i mirëfilltë shteti brenda shtetit.

Çfarë është grushti i shtetit brenda shtetit? Është kur një degë e pushtetit merr pushtetin e degëve të tjera.

Po këtu nuk po diskutohet se ky ka marrë pushtetin e presidentit, se as që ekziston ai. Ka marrë pushtetin e gjyqësorit, as që diskutohet kjo. Ka marrë të gjitha pushtetet, por në fund ky u vërsul kundër opozitës, të asgjësojë opozitën për pushtetin e tij.

Edhe njëherë, të drejtat kushtetuese në Kushtetutë për deputetët, nuk janë personale të tyret, janë të drejta të parlamentit, të tempullit, të institucionit qendror në një republikë parlamentare.

Pra, jemi në kushtet kur ky nuk e lejon parlamentin të ngrejë komisione hetimore parlamentare. Të ushtrojë apo të ushtrohet sovraniteti i qytetarëve për të kontrolluar qeverinë e tyre.

Ky i cakton opozitës se cilin do ketë përfaqësues në komisionet e parlamentit. Ky i fut në sirtar të gjitha nismat legjislative të deputetëve të opozitës.

Ky u kufizon lirisë, i heq lirinë kryetarit të PD, me gjykatës mercenarë, duke marrë kështu pushtetin e Kushtetutës për qëllimet e tij.

Pra, jemi në një situatë që nuk ka ekzistuar kurrë që nga viti 1990 gjer sot.

Ka një rikthim të plotë të diktaturës, kësaj radhe kjo jo me ideologji marksiste-leniniste, por kësaj radhe me bandat. Kush ia numëroi votat Shkodrës, Mamurrasit, Lezhës, Durrësit, Elbasanit, Lushnjes e me radhë?

Kuvendi Kombëtar pra mblidhet në këtë situatë, për të përcaktuar qëndrimet e PD-së në këtë betejë jetike për shpëtimin e vendit”, theksoi Berisha.

Po ashtu, në takimin me krerët e degëve, Berisha foli edhe për mosbindjen civile, ndërsa u kërkoi të pranishmëve që të studiojnë pikat më nevralgjike dhe të marrin veprime bllokuese. “Gjithçka justifikon rrëzimi i një diktature”, udhëzoi Berisha.

“Beteja që bëhet në parlament, duhet të zhvillohet dhe mund të zhvillohet në çdo pikë nevralgjike të këtij regjimi, të këtij vendi.

Qëndrimit të tij antikushtetues duhet t’i përgjigjemi me të gjitha mjetet e mosbindjes civile.

Protestën e zakonshme do e kishte kënaqësi, se është sadist, por ne duhet të heqim dorë nga protestat e zakonshme.

Protestat tona duhet ta bllokojnë regjimin. I cili nuk nguron të shfaqë të gjitha llojet e armiqësive.

A do pranojmë ne të mashtrojmë shqiptarët? Jo. Unë e kuptoj se zgjedhjet që kaluan kishin një seri dobësish dhe të metash.

Por këto nuk e justifikojnë kurrë që Bajrët, Pëllumb Gjokat, etj të votojnë votat tona.

Dita e zgjedhjeve është për votim, nuk është për konflikt, nuk është për armë. Jo. Koha para tyre është për betejë, për betejë pa kthim. Dhe ne me Edi Ramën nuk kemi zgjedhje.

Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka për të angazhuar anëtarësinë tonë, mbështetësit tanë, të rinjtë në veprim pa kthim, në betejë pa kthim.

U takon ju në rrethet ku jeni, në degët ku jeni, të studioni pikat më nevralgjike dhe të merrni veprimet dhe qëndrime bllokuese. Me asgjë nuk tërhiqemi ne.

Gjithçka justifikon rrëzimi i një diktature. Kjo kërkon sakrifica, kjo kërkon guxim. Çdo mjet i mosbindjes civile është kushtetues, është legjitim ndaj një regjimi, ndaj një personi që ka uzurpuar të gjitha pushtetet.

Në rast se ne vendosim të qëndrojmë siç po qëndrojmë në parlament, ju garantoj se kohërat ai i ka të shkurtra. Se nuk ka diktaturë bande, që mund t’i rezistojë revoltës së një populli.

Por ama revolta duhet të jetë revoltë.

Ndaj dhe ju ftoj ju, ftoj të gjithë drejtuesit e degëve, ftoj të gjithë anëtarët, simpatizantët tanë, të rivlerësojnë edhe njëherë situatën në të cilën ndodhemi.

Cilido që e ndjen veten të lirë, i themi se liria e tij është kallp. Megjithatë, ta gëzojë po të dojë.

Por ata që kanë bindjen politike se pluralizmi politik është jetik, është vendimtar për një komb, për një familje, për një shoqëri që të ecë përpara, duhet të bashkohet me ne. Duhet të bisedojmë, t’i ftojmë.

Për ata, Edi Rama është po aq armik po kaq sa për ne. Ne po bëjmë një luftë për idealet tona, po bëjmë një luftë jo për PD-në, po bëjmë një luftë për Shqipërinë, për pluralizmin politik, për shoqërinë shqiptare.

Ky do jetë edhe lajtmotivi i Kuvendit”, deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha.

EMISIONET