Gjiknuri në Elbasan: Meta dhe Berisha duan të riciklojnë një alternativë humbëse
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja dhe deputetja Desantila Tahiraj në një takim me banorë të fshatit Shirgjan diskutuan për rëndësinë e zgjedhjeve vendore dhe mosshpërdorimit të votës.
Teksa renditi disa investime shumë të rëndësishme në këtë zonë, Gjiknuri tha se kreu i Bashkisë, Gledian Llatja e njeh fshatin dhe problematikat e tij dhe para se të premtojë, ka marrë garancinë e qeverisë në përmbushjen e këtyre premtimeve.
“Këto zgjedhje vendore, jo vetëm për Bashkinë e Elbasanit, kanë rëndësinë e tyre. Mos e shikoni thjesht dhe vetëm si një garë lokale këtu mes dy njerëzve, por duhet ta shikoni në një prizëm pak më të gjerë politik. Shikojeni me vëmendje votën në mënyrë politike kësaj radhe. Këtu kemi një ekip politik, më ka mua, ka deputeten, ka Edi Ramën. Pra është një ekip politik që i jep garanci. Këtu ka një plan të qartë. Dimë se ku po shkojmë. Këta duan ta frenojnë zhvillimin. Ta ngecin në vend përsëri Shqipërinë apo ta kthejnë mbrapa. Gledi e ka prekur vetë fshatin, premtimet që bën i mirëmendon dhe i ka të garantuara që do të mbështeten financiarisht”, theksoi Gjiknuri.
Numri dy i Partisë Socialiste u shpjegoi banorëve të Shirgjanit pse po aq e rëndësishme është edhe vota për Këshillin Bashkiak. Gjiknuri nënvizoi se opozita do të tentojë të bllokojë Këshillin Bashkiak dhe për rrjedhojë, punët e mira të bashkisë.
“Kandidati kundërshtar Luçiano Boçi do riciklohet tani nga dy agallarët e Tiranës, Ilir Meta me Sali Berishën. Ata janë shefat e tij. Ka vetëm një qëllim, të marrë bashkinë, të punësojë ca militantë aty dhe pastaj të zbatojë porositë e Tiranës për ta ‘bunkerizuar’ Elbasanin për të filluar ato luftërat politike për të eksportuar revolucionin e foltores së Sali Berishës bashkë me Ilir Metën.Prandaj them që kjo votë është e mirëfilltë edhe politike, dhe duhet ta vlerësojmë ashtu siç duhet. Qoftë për kryetarin e bashkisë, që vota për Gledin është dhe votë për Edi Ramën dhe për Partinë Socialiste, qoftë dhe këshillin bashkiak”, tha ai.
Gjiknuri u bëri thirrje banorëve të Shirgjanit që të mos lejojnë më 14 maj që projektet për Elbasanin të mbeten peng i një vote të një këshilltari në Këshillin Bashkiak.
“Pse këshillin bashkiak? Mos e lini kryetarin e bashkisë të jetë peng nesër i një vote të një këshilltari për interesa të vogla. Çojeni votën te ekipi i Partisë Socialiste. Pse? Është garanci dhe mbështetje për këtë që ato vendimmarrje që merren në bashki në funksion të qytetarëve ky t’i ketë të garantuara. Të mos negociojë aty me çdo individ për interesa të vogla. Prandaj them dhe votat për Partinë Socialiste në këshillin bashkiak që të kemi kryetar bashkie dhe këshillin të kontrolluar nga Partia Socialiste. Qeveria e Edi Ramës nga mbrapa do të furnizojë financiarisht të gjitha projektet që do të ketë Gledi”, përfundoi Gjiknuri.
Nga ana e tij Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja foli për investimet e kryera në këto vite si unaza bujqësore, rrugët e fshatrave, kanalet kulluese, vaditëse etj.