"Fieri, 'kryeqyteti i socialistëve'"/ Rama: Më mbështetën kur më quanin tradhtar
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në aktivitetin për 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Fier, ku ndau me të pranishmit një episod nga gara e tij për drejtimin e partisë në vitin 2003.
Gjatë fjalës së tij, Rama lidhi atë periudhë me arsyen pse, sipas tij, Fieri konsiderohet "kryeqyteti i socialistëve".
Mes batutave dhe një ndërprerjeje të shkurtër të mikrofonit, kreu i qeverisë tha se përgjigjen për këtë përcaktim e kishte gjetur duke kujtuar mbështetjen që kishte marrë në kohën kur vendosi të kandidonte për kreun e Partisë Socialiste.
Sipas Ramës, kandidimi i tij në vitin 2003 u prit me kundërshti të forta brenda partisë, pasi ai sfidoi drejtuesin e atëhershëm në një kohë kur një garë e tillë konsiderohej e pazakontë dhe jashtë traditës së PS-së.
"Kur unë kandidova për herë të parë për kryetar të Partisë Socialiste, ishte një skandal i madh. Partia Socialiste nuk e kishte zakonin, as statutin që njerëzit të dilnin e të thoshin dua të bëhem kryetar i partisë. Ishte menjëherë pas mandatit të dytë si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Shumë socialistë më shikonin si një njeri të çmendur, si një njeri të pafytyrë dhe gati-gati tradhtar, sepse po i dilja përballë liderit të pakontestueshëm të partisë dhe po thyeja çdo rregull të kohës."-tha Kryeministri.
Rama kujtoi se ajo garë shënoi një moment të rëndësishëm në historinë e Partisë Socialiste dhe e lidhi me mbështetjen që kishte gjetur në Fier, qytet që sipas tij ka mbajtur një rol të veçantë në rrugëtimin politik të socialistëve ndër vite.


