“Do kushtëzojmë çdo akt për një Kod Zgjedhor funksional”, Basha i vendosur: Lista të hapura

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh i vendosur për lista të hapura, ndërsa theksoi se “do të kushtëzojnë çdo akt për një Kod Zgjedhor funksional, pasi sipas tij kodi aktual nuk funksionon.

Nga Kuvendi Zgjedhor i Lezhës, Basha u shpreh se “ustallarët e tranzicionit nuk kanë vullnet politik”, por tha se PD do të qëndrojë e vendosur.

Basha tha se në Parlament duhet të shkojnë njerëzit e zgjedhor nga qytetarët dhe jo ata që i zgjedh kryetari i partisë.

“Në parlament të shkojnë ata që votohen nga njerëzit dhe jo ata që caktohen nga kryetarët e partisë. Kjo është domethënia e propozimit tonë për listat e hapura.

Pa diskutim në këtë aspekt edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe çështjen e  votës së diasporës e bëjnë të qartë se cila është rruga ku duhet ecur.

Siç është e qartë se nuk ka vullnet politik nga ustallarët e vjetër të tranzicionit me në krye kryeministrin aktual.

Por ne do të ngremë zërin, ne do të kushtëzojmë çdo akt për një kod zgjedhor funksional, me këto parime, duke nisur me listat e hapur, që në Parlament të shkojnë burrat dhe gratë që duan shqiptarët”, tha Basha.

Basha u shpreh se qëndrimet e PD për zgjedhjet tashmë janë institucionalizuar. Ai deklaroi se garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të kërkojë shumë më shumë sesa rregullat e lojës.

“Por pa rregullat e lojës, nuk ka asnjë shans që të kemi një rrugë të hapur drejt një sistemi zgjedhor ku qytetarët vendosin se kush do të shkojë në parlament dhe jo kryetarët e partive.

Kjo është arsyeja pse PD ka dorëzuar jo thjesht në emrin e saj apo të opozitës, por në emrin e interesit të çdo qytetari propozimet për listat e hapura.

Porpozimin për Shqipërinë një zonë zgjedhore, për votimin elektronik dhe numërimin elektronik dhe për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Propozimi për listat e hapura nuk është një manovër politike apo partiake, është zotimi ynë që parlamenti të mos jetë më një konstelacion i atyre që vijnë nga listat e mbyllura të përcaktuara nga kryetarët e partive sipas formulës kushtetuese të 2008-ës.

Që ishte dhe fillimi i fundit të Republikës së parë pluraliste në Shqipëri dhe që sot është kthyer në një pronë private të Edi Ramës dhe të çirakëve të tij në qeveri”, tha ndër të tjera Basha.

EMISIONET