GJKKO i kthen mbrapsht SPAK-ut dosjen e Asllan Dogjanit: Ka mangësi në hetime! Deputeti: Triumfon drejtësia
Deputeti Asllan Dogjani është paraqitur mëngjesin e sotëm në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, ku u mor vendimi që çështja e tij të kalojë për rihetim.
GJKKO ne vendimin e saj i la afat 2 muaj SPAK-ut për plotësim hetimesh. Ligjvënësi demokrat akuzohet nga SPAK për deklarim të rremë pasurie.
Bëhet fjalë për një apartament 128.4 m2 në rrugën ‘Hamid Shijaku’ në Tiranë, që SPAK thotë se deputeti e bleu 112 mijë euro cash, por në ILDKPI e deklaroi sikur e përfitoi nga konsulencat juridike që i ka dhënë shoqërisë së ndërtimit ‘Protial’.
Këtë vendim të Gykatës së Posaçme, Asllan Dogjani e ka konsideruar si një triumf të drejtësisë, teksa theksoi se ka kaluar një periudhë shumë të vështirë.
“E kanë kthyer edhe njëherë çështjen për hetim, sepse nuk është bërë i plotë. Tregon që triumfon drejtësia. Unë kam patur një periudhë shumë të vështirë, jo vetëm vetë, por edhe familja ime.
Njerëzit të cilët më kanë ndjekur, i falënderoj të gjithë. Sot ka fituar drejtësia, është fundi i Edi Ramës. Sepse edhe këta prokurorë e gjyqtarë, kanë filuar ta kuptojnë sepse nesër, do të zëvendësohen nga Edi Rama nga 100 mijë palestinezë, bangadeshas apo emigrantë të ardhur nga vende të tjera.
Nëse do të vazhdojë ky njeri, këtu nuk do të flitet më shqip, sepse këtu do të hikoni sesi sjell 25 mijë ton mbetje toksike. E ka kthyer Shqipërinë në një vend mbeturinash. Ky është fundi i Edi Ramës dhe kjo është fitorja dhe triumfi i drejtësisë”, tha Dogjani pas daljes nga ambientet e GJKKO.
Sipas SPAK, më datë 24 Mars 2010, Dogjani ka shënuar në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2 në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen.
Në mbështetje të këtij deklarimi, ai ka paraqitur një kontratë të datës 6 dhjetor 2006, tek e cila është mbështetur edhe në deklarimin e kryer në qershor të vitit 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Por, sipas SPAK nga hetimet ka rezultuar se Dogjani është bërë pronari i këtij apartamenti bazuar në një kontratë të shtatorit 2006, ku parashikohej se vlera e banesës do të ishte 121 mijë e 980 euro, shumë të cilën ia ka likuiduar shoqërisë përmes pagesave cash.
Prokuroria thotë se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. Sipas organit të akuzës, kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme.
Asllan Dogjani ka deklaruar më parë për gazetarët se kallëzimi ndaj tij është kryer nga ndërtuesi pallatit, të cilin ai e kishte denoncuar për probleme të ndryshme.