Debate të forta në Këshillin Bashkiak, Kepi dhe Blushi: E ardhmja e Klubit Sportiv Tirana në rrezik! Vendim kriminal i Veliajt dhe Bordit të korruptuar
Këtë të martë është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, ashtu si edhe në mbledhjet e tjera, ka shkuar në mbledhje vetëm për të mbajtur fjalimin e tij propagandesk, teksa anëtarët e opozitës në Këshillin Bashkiak, gjatë kohës që fliste ai, në shenjë proteste i kanë rënë tavolinave me duar.
Pas fjalimit të tij, Veliaj iku menjëherë nga mbledhja e Këshillit Bashkiak. Ndërkohë, mjaftuan vetëm disa goditje ndaj tavolinave që mazhoranca socialiste në Këshill t’i miratonte të gjitha vendimet në rendin e ditës brenda 1 minute vetëm me ngritje kartonash, pa diskutime.
E sikur të mos mjaftonte kaq, në fund të miratimit të vendimeve, kryetarja e Këshillit Bashkiak, Romina Kuko, siç shihet edhe në foton e mëposhtme, i ka përshëndetur këshilltarët e opozitës me një gjest arrogance.
DENONCIMET E OPOZITES
Alba Kepi, gazetare dhe anëtare e këshillit Bashkiak të Tiranës, ka reaguar me forcë kundër një vendimi të fundit të Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj Erion Veliaj, duke e akuzuar këtë të fundit për një akt tjetër kriminal ndaj qytetit.
Kepi thekson se pas shkatërrimit të monumenteve kulturore, artit, dhe historisë së Tiranës, Veliaj po shkatërron edhe Klubin Sportiv Tirana duke e kthyer atë në një biznes të drejtuar nga një bord drejtorësh, një veprim që ajo e konsideron tërësisht të paligjshëm dhe në kundërshtim me ligjin e sportit.
Kepi e cilëson këtë vendim si një tjetër aferë për përfitime të ngushta të investitorëve strategjikë dhe klientelës së Partisë Socialiste. Sipas saj, ky është një përpjekje për të ricikluar para të pista përmes shfrytëzimit të Klubit Sportiv Tirana dhe stadiumit Selman Stërmasi, një ikonë e sportit shqiptar.
Në reagimin e saj, Kepi thekson rëndësinë historike dhe emocionale të Klubit Sportiv Tirana, duke kujtuar kontributin e babait të saj, i cili ka shkruar historikun e klubit, dhe ndjenjën e krenarisë që ky klub përfaqëson për qytetin dhe banorët autoktonë.
Ajo përmend gjithashtu rolin që tifozët bardhë e blu kanë luajtur në revolucionin anti-komunist, duke theksuar se vendimi aktual i bashkisë është një sulm ndaj identitetit dhe historisë së Tiranës.
Kepi i bën thirrje autoriteteve të largojnë duart nga sporti dhe të mbrojnë historinë dhe trashëgiminë e Klubit Sportiv Tirana, duke e quajtur atë një “amanet” të çmuar të qytetit.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe anëtari tjetër i opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi.
Teksa publikoi dhe pamjet nga debatet e sotme, në reagimin e tij pëmes rrjeteve sociale, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë shprehet se ky është një vendim kriminal i Erion Veliajt.
"Vendimi kriminal i Erion Veliaj për të asgjesuar Klubin Sportiv Tirana duke e kthyer në një Qendër Sportive të drejtuar nga një Bord të korruptuar Drejtorësh është një agresion i pastër talebanizmi ndaj historisë së kryeqytetit, familjeve autoktone, brezave të tërë të lojtarëve e trajnerëve legjendarë, të afërmve të tyre dhe ndaj të gjithë tifozerisë së mrekullueshme bardhë e blu.
Pasi i shkatërroi Tiranës identitetin, i shembi çdo monument kulture, i zhduku nga faqja e dheut Teatrin, kinematë, parqet dhe çdo simbol krenarie, sot Erion Veliaj kaloi edhe një tjetër vijë të kuqe duke asgjesuar me bedelat e tij në Këshillin Bashkiak 104 vite histori suksesi e arritjesh në futboll të Klubit Sportiv Tirana.
Ky akt lufte ndaj të gjithë sportdashësve, trashëgimisë dhe vlerave më të larta sportive të Tiranës kërkon një përgjigje pa mëshirë, siç e meriton armiku më i egër i kryeqytetit dhe vlerave të tij, Erion Veliaj.
Të kthesh 104 vite futboll elitar në një biznes të pështirë korruptiv dhe kriminal për pastrim parash me borde drejtorësh 5D, si me inceneratorët, është të djegësh përgjithmonë historinë e ekipit që i ka dhënë krenari jo vetëm Tiranës por mbarë Shqipërisë.
Çdo ditë e Erion Velisë në detyrë do të thotë një vjedhje skizofrenike dhe një krim më shumë.
E vetmja alternativë ngelet nxjerrja e tij prej zverku nga zyra dhe arrestimi një orë e më parë nga qytetarët.
Vendi i kësaj vemje të pështirë është vetëm në koshin plehrave dhe prej aty në qeli!", thekson Tedi Blushi.