Celibashi: Mirënjohje të gjithë atyre që kontribuan për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Kukës
Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi reagoi sot në përfundim të procesit të numërimit të votave për zgjedhjet për kryetar të bashkisë Kukës.
Në një prononcim për mediet, Celibashi shprehu mirënjohje dhe falënderim për votuesit dhe gjithë banorët e kësaj bashkie, të cilët sipas tij, “edhe këtë radhë nuk zhgënjyen për vlerat civile që përfaqësojnë, vlera të cilat përcaktuan sjelljen e tyre në këtë proces”.
“Vlerësim dhe falënderim për anëtarët e KZAZ nr.11 për përkushtimin ndaj detyrës dhe profesionalizmin e treguar, për operatorët e stafin tjetër të identifikimit elektronik, si dhe për pjesën më të madhe anëtarëve të komisioneve të qendrave të votimit, të cilët edhe pse në jo pak raste punuan në kushte gati të papërshtatshme pune treguan përkushtim e seriozitet”, shtoi ai.
Po ashtu Celibashi vlerësoi edhe punën e kryer nga një numër jo i vogël vëzhguesish jopartiak, të cilët i vëzhguan këto zgjedhje.
“Respekt dhe vlerësim për gjithë përfaqësuesit e medies të angazhuar me informimin e publikut për të gjitha aspektet e këtij procesi zgjedhor. Falënderim dhe vlerësim për gjithë stafin e KQZ-së i cili punoi për përgatitjen dhe mbikëqyrjen e këtij procesi thuajse 24/7”, tha Celibashi.
Po ashtu, ai shprehu vlerësim maksimal për Policinë e Shtetit, veçanërisht për drejtuesit lokal të saj në këtë bashki për bashkëpunimin serioz e profesional me KQZ.