Buxheti 2025, deputetët e PD-së amendament në mbështetje të grave me kancer gjiri
Nëntë deputete të opozitës kanë dorëzuar një amendament për buxhetin e vitit 2025, në mbështetje të grave të diagnostikuara me kancer gjiri.
Ata kërkojnë të çelet një fond i posaçëm për blerjen e një pajisje PET Scaner dhe dy pajisjeve akseleratorë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë.
“Fondi i posaçëm parashikon të përfshijë edhe shpenzimet e mirëmbajtjes për qëllim funksionimin e pandërprerë të pajisjeve. Ky fond detajohet dhe përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në amendamentin e opozitës.
Po ashtu ata kërkojnë vendosjen e një fondi prej 600 milionë lekësh për të rimbursuar shpenzimet për protezat e rikonstruksionit të gjirit dhe paruket për gratë me kancer gjiri.
“Fondi prej 600 milionë lekësh do të përdoret për rimbursimin e shpenzimeve për protezat e rikonstruksionit te gjirit dhe paruket për gratë e diagnostikuara dhe në trajtim mjekësor ndaj kancerit te gjirit. Ky fond detajohet dhe përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave” thuhet në amendament.