Berisha: Veliaj hajduti më i madh që është ulur në zyrën e kryetarit të bashkisë, droga i dha goditje të rëndë turizmit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka bërë thirrje kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj që të dorëzohet para drejtësisë.
‘Sa më shumë ta zgjasësh agoninë tënde, aq më tepër do vuash se këta protestues nuk njohin kthim mbrapa’, u shpreh Berisha.
Berisha: Të dashur qëndrestare dhe qëndrestarë, misionare dhe misionarë të një kauze të pamposhtur, të një kauze të drejtë të mbarë shqiptarëve.
Një përshëndetje të përzemërt për ju, për oratorët e kësaj platforme të fjalës së lirë.
Por një përshëndetje qëndrestarëve që rrethuan sot bashkinë e Tiranës, të pamposhtur në revoltën e tyre kundër njërës prej figurave më të shpërfytyruara, më të shëmtuara të të gjithë historisë 400-vjeçare të këtij qyteti.
Erion Veliaj është hajduti më i madh që është ulur ndonjëherë në zyrën e kryetarit të bashkisë.
Ai vendin e ka në shtyllën e turpit të këtij qyteti dhe mbarë Shqipërisë.
Erion, sa më shumë ta zgjasësh agoninë tënde, aq më tepër do vuash se këta protestues nuk njohin kthim mbrapa.
Ndaj dhe mos ik si mi, po shporru nga bashkia hajdut!
Miqtë e mi një përshëndetje të përzemërt të zjarrtë guximtarëve të Thumanës, Fushë Krujës, Krujës që vazhdojnë protestën e tyre fitimtare.
Sot, narkobanditë me uniformë janë sjellë në mënyrë kriminale ndaj protestuesve paqësorë.
Por unë i them Edi Ramës, nuk ke shans kurrë të ndëshkosh Thumanën, Fushë Krujën dhe Krujën.
Harroje se të jesh i sigurt ti, se ata janë të pamposhtur.
Ata kanë kërkesë të drejtë.
Ke shndërruar autostradën 21 kilometrat e para rrugë që ndërtove në 11 vite, i shndërrove o shpirtlig në dënim për banorët ku ajo kalon.
Hiqe nga mendja se kjo do kalojë.
Hiqe nga mendja.
Banorët e Fushë Krujës, Thumanës dhe Krujës nuk janë vetëm. Ata kanë një solidaritet të plotë mbarëshqiptar.
Ndaj dhe fillo menjëherë ndërtimin e rrethrrotullimeve, mbikalimeve, nënkalimeve, çfarë kërkon e drejta e qytetarëve mbi tokën e të cilëve u ndërtua autostrada, për të pasur edhe ata si të gjithë të tjerë akses tek 20 kilometra autostradë.
Dhe hiqi ato ato prita që ke vënë, se asnjë qindarkë nuk do paguajë kush.
Nuk mund të diskriminosh ti shqiptarët, armik i egër, racist i veriut.
Qytetarët më të varfër në Europë për të ardhur në kryeqytetin e tyre, duhet të paguajnë dy ditë punë, mund dhe djersë e tyre, në një kohë kur të tjerët nuk paguajnë asnjë qindarkë.
Ku e ke parë ti këtë diskriminim? Çfarë kujton se do të të tolerojnë?
Zero tolerancë!
Miqtë e mi, boshatisja e Shqipërisë është akti më armiqësor, më shkatërrimtar për kombin tonë se të gjitha luftërat, se të gjitha epidemitë, se të gjitha pushtimet, largimi i rreth 40 përqind të qytetarëve shqiptarë nga Shqipëria.
Të dashur miq, në mënyrë të përsëritur jemi ndalur tek shndërrimi i turizmit në një mallkim për qytetarët shqiptarë.
Ky vit shënon de facto shkatërrimin e turizmit në Shqipëri.
Kapacitetet turistike në vend kanë rënë nga 50 gjer në 70 përqind.
Kompanitë e mëdha turistike, njëra pas tjetrës, janë larguar nga Shqipëria.
Tregu ka pasur absurditete nga më të rëndat.
Në një kohë kur propaganda qeveritare u shet shqiptarëve për turistë pasagjerët e Rinasit apo të portit të Durrësit, në mënyrën më mashtruese, më të turpshme kapacitetet turistike, hotelet, shezlonget, çadrat kanë qenë me çerek apo maksimumi dyzet përqind të kapaciteteve të tyre nga qershori gjer sot.
Kjo është një goditje shumë e rëndë për Shqipërinë, ekonominë e saj dhe shqiptarët, të cilët kanë investuar normalisht se kudo tjetër në turizëm.
Të cilët nga thellësitë e Alpeve gjer në Konispol, në të gjitha brigjet e detrave dhe liqeneve, në të gjitha malet dhe luginat e lumenjve, e shihnin dhe e shohin turizmin si një dritë shprese për mëkëmbjen e tyre ekonomike.
Por çfarë ndodhi këtë vit? Shkaku i parë dhe më kryesor miqtë e mi është varfërimi i tejskajshëm i shqiptarëve.
Ky është shkaku themelore.
Para 8 muajsh u publikua studimi që tregonte se 60 përqind e shqiptarëve nuk janë në gjendje të bëjnë pushime, të shkojnë me pushime.
Miq, kur lexova atë studim mu rikujtua koha e diktaturës, kur në atë kohë jo më shumë se 30-40 përqind e qytetarëve mund të shkonin me pushime. Edhe më pak.
Nuk mund të shkojnë me pushime 47 përqind e shqiptarëve që deklarojnë se nuk sigurojnë dot ushqimin e duhur për fëmijët e tyre.
Të jemi realistë, plazhet e jugut i mbushte Tirana, kjo është e vërteta.
Dhe varfëria i përjashtoi shqiptarët nga kjo mundësi.
Por mos harroni se gjatë këtyre tetë viteve u larguan rreth 40 përqind e shqiptarëve nga Shqipëria.
Dhe atyre që druhen të thonë 40 përqind, u kërkoj njerëzisht, merreni lapsin në dorë.
Eurostat thotë se nga viti 2014 deri në vitin 2022 u larguan 930 mijë shqiptarë.
Statistikat britanike thonë se vetëm në vitin 2022 në Britani emigruan 43 mijë shqiptarë.
Statistikat e lotarisë amerikane, Green Card, tregojnë se nga viti 2014 deri në vitin 2022, rreth 43 mijë shqiptarë kanë fituar lotarinë dhe kanë marrë Green Card.
Këta bëjnë së bashku rreth 38 përqind të kombit.
Po të tjerët që ikin në Kanada, Lindje të Mesme, Australi, Norvegji, Zvicër, vende të tjera?
Ja pra ku janë, rreth 40 përqind të shqiptarëve kanë ikur.
Dhe kjo i ka dhënë një goditje të rëndë turizmit.
Por miqtë e mi, goditje të tmerrshme turizmit i ka dhënë Kosova. Turizmi vjetor i Shqipërisë në një masë 70 përqind, përcaktohej nga shqiptarët jashtë Shqipërisë. Të Kosovës, Maqedonisë, etj.
Çfarë ndodhi?
Kur Edi Rama sillet me Kosovën me armiqësi si Vuçiçi, çfarë mendojmë ne, se ata nuk ndikohen nga kjo?
Çfarë i bënë ata Edi Ramës dhe Shqipërisë, që Edi Rama dhe qeveria e tij të trajtojnë Kosovën me sanksione, me armiqësi?
Çfarë i bënë qytetarët e Kosovës dhe qeveria e Kosovës Shqipërisë, që Edi Rama të kërkojë publikisht bllokimin e vizave për qytetarët e Kosovës?
Psikologjia e çdo njeriu është psikologji. Po ky njeri nuk na don. Të presim ditë të tjera.
Dhe e vërteta është që këtë vit ata u derdhën në plazhet e vendeve përreth.
Mos harroni një gjë, se jashtë Kosovës, kosovarët që vinin në Shqipëri, janë po aq sa në Kosovë.
Por edhe ata tani, përveç racizmit antishqiptar që gjenin te kriminelët e Rilindjes, tek fanatikët e Edi Ramës, sidomos në zonat e jugut, të cilëve ia ndryshonin kontratat, të cilët nuk i pranonin se na erdhën polakët, çekët apo të tjerë.
Po të cilët përbënin rreth 70 përqind të turizmit real vjetor shqiptar.
Ky ka mbajtur një qëndrim më miqësor ndaj Serbisë se ndaj Kosovës, në një kohë kur çdo vit ata shpenzonin së paku 400 gjer 500 milionë euro në Shqipëri.
Goditje të rëndë turizmit miqtë e mi i dha droga.
I dhanë narkosit e Edi Ramës, resortet e narkosve.
Miq, ata nuk duan klientë se ata i kanë paratë në kontejnerë dhe nuk dinë nga t’i çojnë.
Ndaj dhe ata shesin shezlonget 200 euro.
Shesin çadrën 100 euro.
Ndaj dhe ata shesin supën 30 euro se si e si të shkatërrojnë tregun.
Dhe pastaj bëjnë fatura false.
Pra, edhe ky faktor.
Po iu them ju, dhe iu them shqiptarëve se ky është një dëm shumë i madh sepse ajo që u zhbë këtë vit, do të dojë shumë vite për t’u bërë.
Sigurisht ju do të dëgjoni të pafytyrë që dalin në TV dhe thonë se në këtë Sarandë patëm 15 përqind, se na erdhën individualisht dhe jo me agjenci.
Po këta janë kategori llumi, nuk duhet të merresh me ta, sepse ata marrin rrogën për të bërë papagallin e Edi Ramës.
Pa shkoni dhe pyeteni pak se si ishin boshatisur edhe këtë 15-ditësh nën kapacitete.
Pra duhet shumë kohë për të marrë veten.
Por ndikim negativ ka edhe kjo propagandë e neveritshme, e turpshme, mashtruese.
A e keni parë ju o miq se si Edi Rama çdo ditë u shet shqiptarëve shifra që nuk ekzistojnë kurrë dhe paturpësisht mediat e qeverisë i përsëritin ato.
Po kjo është të tallesh me jetën, me investimin e qindra mijëra shqiptarëve, kjo është t’i falimentosh ata.
Një mik më thoshte, të thotë ç’të dojë ai, po unë 70 përqind të kapaciteteve vazhdoj t’i kem bosh.
Kurse Edi Rama shpërndan shifrat e udhëtarëve të Rinasit.
Është njëlloj sikundër Turqia, vend në të cilin në dy aeroporte të Stambollit të kalojnë 200 milionë udhëtarë në vit, të thotë se kam marrë këtë vit 200 milionë turistë.
Por aty Edi Ramë nuk ka, janë më realistë, pavarësisht disa ngjashmërive.
Pra, qytetarë dhe qytetare, gabohen ata që thonë se kjo nuk ka lidhje me qeverinë.
Kjo ka lidhje fort me qeverinë.
Ka lidhje me mashtrimet e saj të tmerrshme.
Ka lidhje sepse ky pronar hoteli, bujtine apo moteli, i blen ushqimet nga 10 gjer në 250 përqind më shtrenjtë se në BE.
Ka lidhje sepse ky kryeministër dhe kjo qeveri shkatërroi prodhimin e brendshëm dhe çdo gjë është e importit. Natyrisht ajo ka edhe çmimet më të larta.
Natyrisht ajo ka çmime më të larta, ndaj dhe ti blen qumështin 20 përqind më shtrenjtë, dhe je i detyruar që klientit t’ia rrisë çmimin e qumështit në mëngjes.
Dhe ai e merr më mirë në Gjermani se në Shqipëri se këto janë politikat.
Po këto na i solli Ballkani i Hapur i Edi Ramës, këtij argati të shpifur të Vuçiçit.
Marrëdhëniet me Kosovën i prishi Edi Rama, jo Kosova.
Përkundrazi, as edhe dëmin më të vogël përveç mirësisë.
Pra, të gjitha këto u bëj thirrje të gjithë punonjësve të turizmit, të gjithë pronarëve të hoteleve, moteleve, bujtinave, të bëjnë gjithçka për të rikthyer turizmin në mirësinë më të madhe për shqiptarët, për numrin më të madh të shqiptarëve dhe jo ndëshkim siç e bëri Edi Rama.
Edhe njëherë, përshëndetje të përzemërta.
Fitore, fitore, fitore!