Berisha: Rama po aq xhelat sa i ati që firmosi varjen në litar të poetit Havzi Nela
Nga Shkodra kreu i PD-së Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama se është po aq xhelat ndaj lirive të shqiptarëve sot sa i ati që firmosi varjen e Havzi Nelës.
"Të gjitha liritë, të drejtat e qytetarëve të Shkodrës dhe të Shqipërisë, janë në duart e një njeriu, i cili kontrollon çdo pushtet. I cili vendos për çdo proces. I cili dhunon me makinerinë e tij të narkoshtetit çdo minutë, ço orë, çdo ditë liritë dhe të drejtat e qytetarëve, përfshi dhe votën e lirë.
Edi Rama është po aq xhelat sot ndaj lirive të shqiptarëve, sa ishte i ati i tij që firmosi më 10 gusht të vitit 1988 varjen në litar të poetit kundërshtar, Havzi Nela.
Ai sot nuk vendos trekëmbësh, por sot ai me makinerinë e tij shtetërore, me vjedhjen monstruoze që iu bën shqiptarëve, me pasigurinë e plotë që ka krijuar me lidhjet e tij me krimin, i përzë ata nga vendi i tyre sa asnjë pushtues tjetër në historinë tonë kombëtare.
Ky monizëm sot bazohet në shkelmimin, rrëmbimin, vjedhjen e votës për të cilën ranë për t’u bërë të pavdekshëm martirët e 2 prillit. Bazohet në përçudnimin e një propagande që shëmbëllen njësoj me atë të kohërave të zeza të diktaturës. Bazohet në varfërimin, në shndërrimin e pasurive publike në një mallkim për qytetarët shqiptarë, dhe jo bekim për ta, siç duhet të jenë," tha Berisha.