Berisha: Rama ka nisur blerjen e votave, ja kush do jetë kreu i Policisë. Ndarja e Kosovës s'është mbështetur nga Trump, në selinë e PS-së ishte përgatitur festa për Harris-in
Në bashkëbisedimin e tij me qytetarët, kryedemokrati Sali Berisha i pyetur në lidhur me rolin e administratës nën qeverisjen e PD-së, është shprehur se, do të respektohet ligji dhe shteti, e jo që punonjësi i shtetit të kthehet në ushtar të pushtetit.
"Narkoshteti ndër të parët që shkatërroi në Shqipëri është administrata. Shkatërroi Policinë e Shtetit, të cilën e angazhoi në mbjelljen e kanabisit në vend, e shndërroi nga luftëtare kundër krimit, në bashkëpunëtore të tij.
Por për të ju përgjigjur pyetjes tuaj, shkurt dhe direkt, ne mënyrë absolute do të respektojmë administratën dhe punonjësit e saj, jo si një levë e partisë, jo si një instrument i partisë shtet, por si institucione të shtetit, të të drejtës, ligjit dhe Kushtetutës", tha Berisha.
Berisha bëri të ditur sot, se në krye të policisë së Tiranës do të emërohet banditi që zvarriti presidentin e PL-së, Ilir Meta. Ai theksoi se, Edi Rama do të detyrohet të firmosë për qeverinë teknike.
I pyetur në lidhje me sigurimin e votës së diasporës, lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se, po bëhet gjithçka që kjo votë të mos preket nga qeveria, ndërsa theksoi se, ka informacione se që tani ka nisur blerja e votës së diasporës dhe ftoi qytetarët për ta denoncuar.
I pyetur se çfarë mund të sjellë presidenca e Donald Trump, kreu i PD-së, Sali Berisha deklaroi se, Trump dhe Riçard Grenell nuk kanë mbështetur projektin për ndarjen e Kosovës.
Sipas Berishës, Trump ka një tjetër trashëgimni, e cila është marrëveshja që i firmos në zyrën e tij nga kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçit.
Pjesën nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Së pari, pa një qeveri teknike, Edi Rama, i cili ka kryer krime ndër më të rëndat, së bashku me familjarët e tij, nuk do pranojë kurrë të dorëzojë pushtetin.
Edi Rama bën gjithçka që të shtrëngojë radhët me persona të lidhur këmbë e krye me krimin, ndaj ai emëroi ministër të Brendshëm ushtarin e Troplinëve, emëroi ushtarin e Çelëve drejtor të përgjithshëm të policisë, po do emërojë këto ditë drejtor të Tiranës, narkobanditin që zvarriti Ilir Metën, ish-presidentin, ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e parlamentit në një akt të pashembullt as në diktatura, publikisht me urdhër të Edi Ramës dhe Altin Dumanit.
Pra, jashtë çdo lloj dyshimi se kjo qeveri, se Edi Rama do largohet me votë apo me vullnetin e tij.
Atëherë mbetet zgjidhje e vetme krijimi i i qeverisë teknike. A mund të krijohet? Absolutisht dhe kjo është në dorë të demokratëve.
Kur demokratët të angazhohen në një lëvizje të qëndrueshme, në bllokime të qëndrueshme, në protesta të qëndrueshme, në greva të qëndrueshme, Edi Rama nuk mund të rezistojë kurrë.
Nuk ka më forcë që të rezistojë. Le të vijë ta nxjerrë Xhorxh Sorosin apo Aleksin sa të dojë tanimë, Edi Rama është i detyruar të firmosë qeverinë teknike dhe të hapë rrugën për rotacionin e pushtetit.
Ekipi po punon për rregullat më transparente dhe më të sigurta për votën e diasporës. Dhe i siguroj emigrantët tanë, diasporën, shqiptarët jashtë vendit se PD do përcaktojë rregullat më të qarta.
Sikundër theksoj se më vijnë sinjale se kanë filluar blerjen e votës që tani, dhe ftoj shqiptarët ta evidentojnë këtë akt dhe ta denoncojnë qoftë në komunitetin ku janë, qoftë në Shqipëri, sepse e them se Edi Rama nuk do lërë mjet pa përdorur për të siguruar mandatin pasi e di se veprat e rënda penale që ka kryer i kushtojnë atij pjesën tjetër të jetës.
Pavarësisht nga zhurma dhe tymi që lëshohet, betimet dhe zotimet që bëjnë, mund të siguroj shqiptarët me përgjegjësi të plotë sa vijon:
Së pari, projekti i ndarjes së Kosovës në mënyrë absolute nuk është mbështetur nga Donald Trump. Nuk është mbështetur nga Riçard Grenell.
Ky projekt është mbështetur nga Xhon Bolton, i cili nuk e ka fshehur këtë, ka deklaruar se më sollën si një propozim të dakordësuar nga të gjitha palët.
Por, meqenëse jemi këtu, duhet të informoj shqiptarët se pas deklaratës së Xhon Boltonit, një bashkëpunëtor i afërt i presidentit Donald Trump ka kundërshtuar në mënyrë kategorike deklaratën e Bolton. Dhe ai e ka bërë këtë me autorizimin e presidentit Trump.
Së dyti, Donald Trump është një president që u mor personalisht me problemin e Kosovës dhe Serbisë. Pra, në këtë aspekt është një fat i madh sepse këta që ishin, këta e njihnin, por nuk zgjidhën gjë se u morën me projektet e Xhorxh Sorosit, se Sorosi bëri projektin e ndarjes dhe ndryshimit të kufijve, ai projekt mban firmën e tij. Se u morën me Ballkanin e Hapur, se faktikisht mbështetën Edi Ramën, që u shndërrua në një faktor negativ të progresit të dialogut Prishtinë-Beograd.
Donald Trump ka një trashëgimi tjetër shumë pozitive dhe kjo trashëgimi është marrëveshja qau firmos në zyrën e tij nga kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciç.
Kjo marrëveshje ishte një ngjashmëri me Marrëveshjen Abraham. Titulli i kësaj marrëveshje ishte për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.
Pra, nuk pretendoj për zgjidhjen përfundimtare, por me besimin se rruga drejt zgjidhjes përfundimtare shkon me normalizimin e marrëdhëniëve ekonomike, çka unë e besoj plotësisht dhe mbi këtë bazë e kam mbështetur në atë kohë atë marrëveshje me të gjitha mundësitë e mia.
Në qoftë se do zbatohej marrëveshja e Trump, rajoni do ishte tjetër sot.
Ajo marrëveshje parashikonte 12 miliardë dollarë investime në hapësirën Serbi, Kosovë, Shqipëri.
Një transformim të madh të lidhjeve infrastrukturore, por edhe një angazhim të madh të biznesit amerikan në rajon.
Shqipëria ishte një nga përfituesit e kësaj marrëveshje. Në Shqpiëri ndërtohej porti më i thellë në rajon. Ndërtohej hekurudha më e mirë që e lidhte me Prishtinën dhe Nishin.
Pra, ajo ishte një marrëveshje transformuese. Dhe përveç kësaj, duhet të themi se e kanë të lehtë të shpikin gjëra që nuk kanë ndodhur, por përveç kësaj, Donald Trump ndërmjetësoi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, një njohje shumë e rëndësishme.
Pra, në vlerësimin tim, rikthimi i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë është një ogur i mirë për shqiptarët.
Mos harroni se para se të hynin në Shtëpinë e Bardhë, Kosova kërkoi të mos kishte flamur dhe në fakt u ulën të dy në tryezë pa flamuj, kështu që vendosi barazinë midis tyre.
Kështu që unë kam shumë besim se fuqia vendimmarrëse e Shtëpisë së Bardhë do të sjellë një marrëveshje shumë të mirë, ekonomike fillimisht, për t’i çelur rrugë më pas marrëveshjes politike.
Ndaj dhe të gjitha komentet e tjera janë krejtësisht të pabaza, janë imagjinata, janë dezinformime të bëjnë individë të caktuar se po të kishte ndërmend ndarjen, kush do e pengonte atë ta thoshte?
Ishte një fat i madh për familjen shqiptare triumfi i Donald Trump.
Unë mund t’u them shqiptarëve se natën e zgjedhjeve, në selinë e PS, qeveritarët, ministrat, kishin futur arkat e shampanjës dhe kishin mbushur tarracën me arka fishekzjarrësh, të sigurt se edhe pollet e Ramës tregonin se e ka të sigurt fitoren Kamala Harris, dhe kur i kanë parë qytetarët të dalin në orën katër të mëngjesit kokëvarur, fytyrënxirë, të dëshpëruar se prisnin ndonjë lidhje Skype me Aleksin në momentin e triumfit të zonjës Harris, pra, ajo natë i dha një përgjigje të merituar.
Por PD zotohet për ligje më të forta për sigurinë e familjes. Të harrojë kush se mund të përdorë terma Prind 1 dhe Prind 2 apo se mund të imagjinojë praktika të ndryshimeve gjinore, të ndërhyrjeve në identitetit e qenieve njerëzore në Shqipëri.
As edhe ato që i sollën në parlament për të krijuar fermat e fëmijëve të tretë me atë praktikë që sollën Edi Rama dhe Erion Veliaj në parlament. Këto marrin fund. Familja është familje dhe do bëjmë gjithçka për mbështetjen e saj, konsolidimin e saj.
Kështu që edhe në këtë kontekst, nuk qe vetëm ekonomia ajo për të cilën amerikanët votuan Donald Trump, por qe edhe agresioni që iu bë nga ekstremizmi i majtë, nga doktrina marksist-leniniste.
Kur them kështu, ndokujt mund t’i duket çudi, se propaganda amerikane e ka mbuluar këtë, por iu sugjeroj të gjithëve që cilido që e merr të rëndë termin leninist, apo shpallja leniniste e ‘Woke Culture’ le të lexojë për rrymën kulturore bolshevike që shpërtheu pas revolucionit të tetorit në Rusi.
Mos harroni se gjatë diktaturës, qarkullonte si thashethem retushimi që iu fotografive të së shkuarës, dhe kjo sigurisht krijonte te ne një përshtypje neveritëse, por të njëjtën gjë bëri edhe ambasadorja amerikane në Tiranë.
Yuri Kim kremtoi në mënyrën më të shëmtuar 100-vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane duke fshirë fotografitë e atyre që ishin promotorët e këtyre marrëdhënieve, sikur të ishin nazistë. Solla këtë shembull të Yuri Kim për të theksuar se çfarë përfaqësimi të fortë arriti ‘Woke Culture’, ky rikthimi i projekt-kultit të leninizmit.
Dhe këto morën fund, kështu që pa diskutim rrezatimi kulturor marksist-leninist merr fund. Do jenë vlerat ato që do prevalojnë.