Berisha: Primaret, për drejtuesit politik të qarqeve do të vendosë Këshilli Kombëtar. Diaspora do të ketë përfaqësuesit e vet
Kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se për Primaret, për drejtuesit politik të qarqeve do të vendosë Këshilli Kombëtar.
Elda Menga, TCH: Ndërkohë për tu ndalur edhe tek një pjesë tjetër e zgjedhjeve. Ajo e zgjedhjeve të brendshme në PD.
Një ditë më parë PD njoftoi se ka hedhur hapat e parë për mbajtjen e procesit të primareve, duke njoftuar edhe kryetarët e degëve që nëse duan të marrin pjesë në primare dhe të futen në garë për deputet, të japin dorëheqje.
Një njoftim që nuk është pritur mirë nga deputet i PD, Bujar Leskaj i cili ka vlerësuar kryetarët e degëve dhe sekretarëve si i vetmi institucion që i janë nënshtruar votimit dhe ka sugjeruar që pjesë e primareve të jenë edhe drejtuesit e PD, pra të jenë në listë të hapur. A do e pranojë Sali Berisha një sugjerim të tillë dhe kur do të nisë procesi i primareve.
Sali Berisha: Tani, procesi i primareve është një proces statutor. Qëndrimi i kryetarëve të PD, ose kërkesa për dorëheqjen e kryetarëve të PD është statutore, ka një nen në statutin e PD, i cili thotë; në rast se kryetari i partisë do të kandidojë, ai duhet të japë dorëheqje para se të zhvillohen primaret.
Pse? Sepse ai tjetri që do të kandidojë, ai kërkon garë të barabartë dhe garë të barabartë, unë kryetar dhe tjetri thjeshtë nuk ka. Ndaj dhe kjo është një normë statutore. A do hynë në garë drejtuesit e PD, gara është e hapur për të gjithë.
- Po drejtuesit politikë të qarqeve?
Sali Berisha: Drejtuesit politikë të qarqeve do të vendosë Këshilli Kombëtar. Por lista e mbyllur do të përcaktohet nga gara, nga primaret dhe rezultati në primare.
Por meqë jam këtu tani, unë ftoj të gjithë demokratet, demokratët dhe të gjithë ata që duan të marrin pejsë në garën e primareve. Të fillojnë që sot garën për votën e diasporës.
Dmth, të fillojnë që sot regjistrimin e numrit më të madh të mundshëm të qytetarëve me të drejtë vote në emigracion dhe diasporë. Do të jetë dhe ky një kontribut i tyre i madh dhe që padiskutim do të marrë vlerësimin e duhur.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Z. Berisha, kur thoni do të jetë kontribut, do të jetë kriter apo kontribut, sepse ka një diferencë. Keni vendosur ju një kuotë të caktuar, që kushdo që të marrë pjesë në primare të arrijë një numër të caktuar të regjistrimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Sali Berisha: Statuti nuk e ka një kërkesë të tillë. Sepse votimi i diasporës doli pas statutit, por në mënyrë absolute do të vlerësohet.
- Ju deklaruat se do të ketë protesta në selitë diplomatike jashtë vendit. Kjo do të thotë se do të zhvillohen protesta vetëm në këto ambasada jashtë vendit, apo do të ecet paralelisht edhe në parlamentin shqiptar.
Sali Berisha: Mosbindja civile vazhdon këtu, nuk e citova se ajo është në rend dite, nuk është hequr nga rendi i ditës. Ky është një motiv më shumë.
- Edhe diçka përsa i takon votës së diasporës. Do të ketë ndonjë ndryshim statutor apo do të bëjë diçka PD për të vendosur një kuotë të atyre deputetëve që do të jenë në parlament nga Diaspora, duke parë se për të herë do të votojnë edhe shqiptarët që janë jashtë vendit. Do të ketë një kuotë të caktuar nga PD, që do të vijnë nga diaspora?
Sali Berisha: Do të ketë përfshirje nga diaspora, por statuti është mungestarë në këtë drejtim se është miratuar para se të zbatohet kjo praktikë.
Sigurisht statuti në rastin e ardhshëm do të pësojë ndryshimet e duhura edhe për këtë problem. Sikurndër statuti do të japë përgjigje edhe për kuotimin e votave të diasporës për deputetët. Pra ka një seri problemesh për tu përgjigjur statuti i partisë për këtë formë votimi. Tani që tani ajo që mund të them është se, diaspora do të përfshihet.