Berisha mbledh Këshillin: Unë jam Sali Berisha … Edhe në hënë të jem, unë do të bëj opozitë

Nga mbledhja e Këshillit Kombëtar, i cili u braktis nga grupi i demokratëve të Gazment Bardhit, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se jo i arrestuar, por edhe në hënë pot ë jetë, ai do të bëjë atë që di të bëjë më mirë, opozitë.

“Këtë fjalë do ta nis duke thënë disa fjalë për të vërtetën. Për të vërtetën si koncept, për të vërtetën si arma më e fuqishme e të gjitha armëve të njeriut.

Para pak ditësh, ndoqa në një intervistë themeluesin e kompanisë Amazon, Jeff Bezos, kur thoshte se e vërteta është parehatshme.

Por çfarë do të thotë kjo? Bezos thotë se 10 mijë vite më parë, po të shkoje në një fshat primitiv dhe të miqësoheshe, mbijetesën do e kishe të garantuar. Por po të flisje të vërtetën, do vriteshe në mënyrën më të dhunshme në mënyrë që e vërteta të mos dëgjohej më.

Kjo luftë ndaj të vërtetës është përsëritur në mënyrë ciklike. Shumë shekuj më parë, Zhan D’ark guxoi të thotë të vërtetën dhe e dogjën. Pak më vonë, Martin Luteri u tha të korruptuarve, boll vodhët dhe e ndëshkuan si të pafe.

Asokohe përsëri, Papa Kalvini dogji në turrën e druve Miguel Servetin pse ai përsëriti të vërteta shkencore për qarkullimin e gjakut. Papa thotë se e dogja se më konsideronte mua të neveritshëm.

Por të vijmë më afër kohës sonë, Mahatma Gandi guxoi të thotë të vërtetën dhe e burgosën për këtë. Lista është e gjatë. Nelson Mandela guxoi të thotë të vërtetën dhe e burgosën për 27 vite. Pjetër Arbnori guxoi të thotë të vërtetën dhe e burgosën për 28 vite.

Për fat të keq, ky qëndrim, ky dhunim ndaj të vërtetës vazhdon edhe në ditët e sotme. Sigurisht nuk është aq i përhapur, por vazhdon akoma.

Në Tunizi, lideri i opozitës është arrestuar. Në Ugandë kanë arrestuar liderin e opozitës. Rusia mban në burg liderin e opozitës. Po pse? Se këta kanë folur të vërtetën.

Ky fenomen ndodh vetëm në vendet jodemokratike si Irani, Rusia, Bjellorusia dhe për fat të keq ky virus ka ardhur edhe në Shqipëri, një vend anëtar i NATO-s.

Nuk e kam fjalën këtu vetëm për kërkesën e fundit për arrestimin e Sali Berishës. Simptomat e kësaj sëmundje kanë kohë që janë shfaqur me kosto shumë të lartë për Shqipërinë.

Një i dënuar që sot është në burg, McGonigal, zyrtari ndër më të lartët i kundërzbulimit amerikan, korruptohet nga Edi Rama dhe shpall Sali Berishën non-grata, kur e vërteta ishte se nuk kishin asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument kundër meje.

Në sytë e të gjithë botës i vidhet vula PD-së, kur e vërteta është se shumica e demokratëve në dy palë zgjedhje dhe tre votëbesimi, kanë zgjedhur Sali Berishën si liderin e opozitës demokratike.

Nga tmerri që kanë prej tij, ndalohet emri i Sali Berishës në fletën e votimit. E vërteta është se koalicioni e kishte zgjedhur kryetar të tij.

Tani duan dhe të burgosin Sali Berishën, por e vërteta është se për të bëtë këtë nuk kanë asnjë provë, asnjë fakt dhe nuk do kenë kurrë.

Dhe për këtë ju rikujtoj se unë nuk jam as i akuzuar, jam thjesht një person nën hetim, për të cilin pas tre vitesh hetimi shterrues nuk kanë gjetur asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument kundër meje.

Me këtë rast shtoj se me akuzën që bëjnë se Jamarbër Malltezi, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD dhe dhëndri im, ka marrë në përputhje me çdo procedurë ligjore, pronë të trashëguar 410 metra tokë, nga 1 miliard e 577 milionë e 400 mijë metër tokë që kanë marrë të kthyer ose të kompensuar, mbi gjysmë milioni shqiptarë.

Me këtë akuzë faktojnë dhe provojnë dështimin e tyre total, të turpshëm dhe përfundimtar ndaj Sali Berishës.

Ndaj dhe sot këtu para jush, e vërteta më autorizon t’u them të gjithë atyre që akuzuan pa asnjë provë, fakt apo dokument për korrupsion Sali Berishën, para se të përsërisni këtë gënjeshtër, këtë akuzë për Sali Berishën, kontrolloni xhepat tuaj.

Unë jam Sali Berisha, me fuqinë e të vërtetës nuk mposhtem kurrë.

Pikërisht se nuk kanë prova, ky arrestim mund të realizohej vetëm nga një zinxhir shkeljesh ligjore, aktesh antikushtetuese, nga të gjitha institucionet që dolën zbuluar se marrin urdhër politik.

Por pse gjithë kjo luftë kundër Sali Berishës? Pse po ndodh ky agresion dyvjeçar ndaj opozitës? Pse ky regjim është i tmerruar kaq shumë nga opozita sa janë të gatshëm të shkatërrojnë pluralizmin, Kushtetutën, parlamentin, drejtësinë, vetëm e vetëm për të na luftuar ne?

Është e qartë, këto dy vite ne kemi prishur rehatinë, kemi tronditur gjer në palcë Edi Ramën, narkokraturën e tij sepse kemi treguar të vërtetën.

Opozita luftohet sepse kur qeveria u cian veshët qytetarëve se Shqipëria është Europa e Ballkanit, të kujton Sulltan Hamitin kur thoshte se shqiptarët janë otomanët e Europës.

Kjo është e vërtetë vetëm për Edi Ramën, parajsa. Për ministrat e tij, sojin e tij, zyrtarët makutë që pasurohen dhe vjedhin çdo natë dhe ditë. Kurse është krejt tjetër për qytetarët dhe veçanërisht për të rinjtë. Nga kjo parajsë kanë ikur 1.3 milionë shqiptarë në 9 vite.

Opozita luftohet sepse kur Skapi shpall fajtor për inceneratorët, për vjedhjen e shekullit dy drejtorë të bashkisë, ne u themi shqiptarëve prisni njëherë se në këtë aferë ka firmat edhe Erion Veliaj, edhe Edi Rama se këta janë hajdutët kryesorë.

Opozita luftohet se kur Skapi shpall fajtor Rrjepajn dhe Rrapajn për vjedhjen e dytë të shekullit, atë të inceneratorëve, ne u themi se në këtë aferë është i përfshirë direkt Ilir Beqaj dhe Edi Rama.

Opozita luftohet se kur Edi Rama bën si kloun para botës, ne i themi botës se ky kloun në fakt u mohon të drejtat themelore kushtetuese opozitës. Se ky kloun rrethon nga frika dhe mbush Kuvendin e shqiptarëve me gardën e tij të kuqe. Se ky kloun e voton buxhetin në 4 minuta. Se ky kloun në fakt është një diktator që pushtetin e rrëmben duke shndërruar krimin në votë dhe votën në krim. Se ky kloun nuk pranon votën e lire”, deklaroi Sali Berisha.

EMISIONET