Berisha kujton gabimet e PD-së: Nuk i dhamë përgjigjen e përsosur çështjes së pronave

Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka kujtuar 22 marsin e 1992-it, ditën kur Partia Demokratike erdhi në fuqi në pushtet. Gjatë fjalës së tij në konferencën “Doktrina e së djathtës” ai u shpreh se në atë datë u shemb sistemi komunist, duke përmendur gjithashtu edhe gabimet që Partia Demokratike bëri gjatë qeverisjes.

Kanë kaluar 32 vite që nga koha e rrëzimit të diktaturës ku Partia Demokratike erdhi në pushtet për herë të parë pas fitores në zgjedhjet e 22 marsit 1992.

Për ish-kryeministrin Sali Berisha ishte vullneti i popullit shqiptar për të shembur barrierën izoluese që komunizmi kishte krijuar, ndërsa nuk la pa përmendur edhe gabimet që PD ka bërë gjatë qeverisjes lidhur me pronat e qytetarëve.

Berisha: PD sot nuk mund të themi që i dha përgjigjen e përsosur çështjes së pronës por brenda një viti ajo bëri pronare 240 mijë familje shqiptare si në asnjë vend tjetër të ish-Europës komuniste.

Gjatë fjalës së tij në konferencën “Doktrina e së djathtës”, Berisha i cilësoi shqiptarët si kombin më të shtypur nga regjimi 50-vjeçar i diktaturës.

Berisha: Shqiptarët nuk janë popull i majtë por ka një vërtetë të hidhur që asnje komb nuk u deformua me shumë se shqiptarët nga diktatura komuniste.

22 marsi shënon dhe ditën e Sulltan Novruzit, ku nuk munguan urimet për besimtarët bektashjanë.

Berisha: Unë e shfrytëzoj këtë rast për të shprehur nderimin tim më të madh për bektashinjtë shqiptarë, të cilët kanë qenë bastion i vërtetë i shqiptarizmit, por në teqetë e tyre, por edhe i gjuhës dhe edukimit, në kohën kur shqiptarët nuk kishin shkolla.

Partia Demokratike u konsiderua nga Berisha si një karvan mbijetese 32-vjeçare, e cila vijon të punojë në shërbesë të qytetarëve.

EMISIONET