Berisha: Do të bëjmë gjithçka që Ramazanin tjetër të mos ketë më të vobektë ekstrem në këtë vend
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka marre pjese ne nje iftar te shtruar në Kamzë komuniteti i Kalasë së Dodës, ku të pranishëm kanë qenë dhe kryetari i PD Kamëz, Petrit Doda njëherësh dhe deputet i PD, dhe kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 majit Petrit Gjorgji.
Fjala e kryetarit të PD, Sali Berisha:
Së pari dua të falënderoj shumë doktorin për ftesën që më bëri, të jem i pranishëm, i nderuar në këtë iftar së bashku me ju, përfaqësues të komunitetit të nderuar të Kalasë së Dodës.
I lutem Zotit, që sakrificën tuaj, agjërimin të ua pranojë të ua kthejë në të mira për ju, familjet tuaja.
Shpreh nderimin më të madh për ju, dhe ju siguroj se kam një nderim të veçantë.
Njerëz punëtor, njerëz të sakrificës, njerëz që derdhin djersë më shumë se të tjerët për një jete më të mirë.
Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që Ramazanin tjetër, që vitin tjetër të mos ketë më të vobektë ekstrem në këtë vend.
Do të bëjmë gjithçka këtë vit, jo kaq për qëllime elektorale, por me gjithë zemër e kemi shpallur vitin e Diasporës.
E kemi shpallur vitin e Diasporës si një detyrim të madh që Shqipëria duhet të ndjejë ndaj atyre burrave dhe grave, djem e vajzave të saj që u larguan për pamundësi jetese në këtë vend, të bëjmë gjithçka që ata të kthehen në Tiranë, të kthehen kudo në Shqipëri dhe ëndërrat e tyre ti rindërtojnë në Shqipëri, ti lehtësojnë, ti ndihmojmë në një rifillim të ri të jetës së tyre, në vendin e tyre.
Pra në rrafshin e sakrificës, le të urojmë edhe njëherë që sakrifica e secilit t’i shndërrohet në një mirësi për të ardhmen dhe unë ju falënderoj, përulem me nderim të madh para sakrificave tuaja, para të gjithë banorëve të Kalasë së Dodës, atyre që jetojnë tani në Kala, e të tjerëve që janë shpërnda në Shqipëri e jashtë saj.
Edhe njëherë Zoti ua pranoftë.